'Bretkosa' të shtunën jepet në Teatrin Kombëtar të Tiranës

Shfaqja “Bretkosa” me regji të Burbuqe Berishës, produksion i Teatrit AAB “Faruk Begolli” do të shfaqet më 28 shtator 2019 në Teatrin Kombëtar të Tiranës.

Regjisorja e Shfaqjes Burbuqe Berisha ka bërë të ditur përmes llogarisë së saj në rrjetin social Facebook, për udhëtimin e shfaqjes së Teatrit AAB ‘Faruk Begolli’ në Tiranë.

“Shfaqja që nga kritika është cilësuar si një perfeksion artistik e ka për obligim kulturor që të nisë një pelegrinazh teatror nëpër çdo qytet të Kosovës dhe jo vetëm, patën apo s’patën sallë teatri, ngase shfaqje e mrekullueshme është e “paketuar” ashtu që të komunikojë me sukses kudo që të shfaqet dhe nga secila ‘skenë’ që ngritët ajo komunikon me sukses me shpirtin e molisur të atyre që plagët e luftës ende lëngojnë në ta, e të atillë ka anë e kënd Kosovës”, ka shkruar regjisorja Berisha në llogarinë e saj në Facebook.

Sipas regjisores Berisha, shfaqja do të jepet më 28.09.2019 në ora 20:00 në Sallën Gete në Teatrin Kombëtar në Tiranë.

“Bretkosa’ trajton tematika të ndjeshme dhe një ballafaqim me realitetin që ka kaluar Kosova që nga mbarimi i luftës.

Në këtë shfaqjen me tekst të dramaturgut kroat, Dubravko Mihanoviq, luajnë: Ilir Tafa, Donat Qosja, Basri Shala dhe Valmir Krasniqi.