Foto: SHBK

Botuesit shqiptarë të bashkuar prezantohen në Panairin e Librit në Frankfurt

Botuesit nga Kosova dhe Shqipëria do të përfaqësohen në një tendë të përbashkët në Panairin e Librit në Frankfurt, i cili hapet sonte.

Gjatë ditëve të panairit do të prezantohen botimet e dhjetëra botuesve e qindra autorë, edhe me praninë fizike nga Kosova e nga Shqipëria.

Shoqata e Botuesve të Kosovës ka bërë të ditur përmes një njoftimi se edicioni i sivjetëm i Panairit të Librit në Frankfurt, mbahet me mesazhin “Ri:lidhemi”, ndërsa e ftuar nderi e panairit për këtë edicion është Kanadaja.

Janë mbi 70 vende nga e gjithë bota që marrin pjesë në këtë panair, ndër të cilët, tradicionalisht, i pranishëm është edhe shteti i Kosovës.

“Ky vit është i veçantë për faktin që kemi një prezantim të përbashkët Kosovë-Shqipëri, me bashkëpunimin e Shoqatës së Botuesve të Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit duke e vendosur një standard shumë të nevojshëm të prezantimit të përbashkët të letërsisë dhe traditës së përbashkët mbarëkombëtare”, thuhet në njoftimin e SHBK-së.

Po sipas njoftimi, në panair do të prezantohen botimet më të reja të botuesve kosovarë, por edhe të institucioneve kulturore, arsimore dhe shkencore të Kosovës.

Panairi i Librit në Frankfurt do të zgjas deri më 24 tetor 2021. Vitin e kaluar nuk ishte mbajtur për shkak të Coronavirusit.