Botuesit kosovarë pjesë e Panairit të Librit 'Frankfurt 2019'

Panairi tradicional i Librit në Frankfurt të Gjermanisë hapet sot me temën “Ide që lëvizin botën”, me pjesëmarrje të mijëra ekspozuesve të librit.

Pjesë e këtij panairi është edhe Kosova e përfaqësuar përmes Shoqatës së Botuesve të Kosovës, përfaqësim që është mundësuar me ndihmën Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ambasadës së Kosovës në Berlin.

Tashmë tradicionalisht pjesë e Panarit të Frankfurtit janë edhe botimet e Shtëpive Botuese të Kosovës të cilat përmes SHBK-së prezantojnë botimet e tyre më të reja në fushën letërsisë dhe publicistikës, por edhe fushave tjera.

SHKB, përmes një njoftimi për media, bën të ditur se dhe këtë edicion Kosova është e pranishme me botimet më të reja të botuesve kryesorë të Kosovës, si: “Buzuku”, “Koha”, “Faik Konica”, “Pema”, “Artini”, “Dija”, “Damo”, “Meshari”, “Magjia e Librit”, “Lugjet e Verdha”, e të tjerë, si dhe institucioneve si Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë dhe Universiteti i Prishtinës.

SHBK-ja  gjatë ditëve të panairit do të shënojë edhe përvjetor të rëndësishme për Kosovën dhe krijuesve më të njohur të letërsisë shqipe.

Stenda e Kosovës është e vendosur në sallën 5 të ambienteve ku mbahet panairi.

Në fundjavë, sipas SHBK-së, panairi hapet edhe për qytetarët dhe vizitorët e thjeshtë, me ç’rast mbahen promovime me autorë dhe orë letrare në stendën e Kosovës

Këtë edicion të Panairi të Frankfurtit, i ftuar nderi është shteti i Norvegjisë.

Panairi i Librit në Frankfurt do të jetë i hapur deri më 20 tetor 2019.