‘Fjalor i mikrotoponimisë së Istogut’. Foto: Facbook/Sejdi Gashi

Botohet vepra për Mikrotoponominë e Istogut

Instituti Albanologjik i Prishtinës, së fundmi ka botuar veprën, “Fjalor i mikrotoponimisë së Istogut” të autorit Sejdi Gashi.

Sipas recensentëve të kësaj vepre, Naim Berisha dhe Abdurrahim Maxhuni, “Fjalor i mikrotoponimisë së Istogut” përbën një kontribut të çmuar në onomastikën shqiptare.

“Mbledhja dhe sistemimi i onomastikës, në këtë rast i mikrotoponimeve ka vlerë të madhe gjuhësore e historike. Përmes mikrotoponimeve të kësaj ane njihet më mirë prezenca e hershme e emërtimeve shqiptare, sikundër dhe ndikimet e huaja sllave e turke”, kanë thënë recensentët për librin e Gashit.

Sipas recenzentëve, toponimet me format e tyre të ngurosura janë më të qëndrueshme sesa fjalët e leksikut të përgjithshëm dhe si të tilla paraqesin material të rëndësishëm për gjuhësinë në përgjithësi.

Përmes këtij fjalori, studiuesi Gashi ka sjellë një material të gjerë, me 1,200 njësi të vjela nga 52 fshatra të trevës së Istogut, si: emërtime fushash e tokash bujqësore, zabelesh, kodrash, brigjesh, lugjesh, livadhesh e kullotash, arash, lumenjsh, përrenjsh, trojesh, bjeshkësh e malesh, krojesh, varrezash, qafa malesh, por edhe antroponimesh, etj.

‘Fjalor i mikrotoponimisë së Istogut’. Foto: Facbook/Sejdi Gashi