Botohet romani që i kushtohet aktores Leze Qena

Me rastin e njëvjetorit të vdekjes së aktores së njohur Leze Qena, shkrimtari Vilson Culaj ka botuar roman, “Dashuri të paprekura”.

Ky roman biografik paraqet jetën e aktores Leze Qena që nga fëmijëria e saj e hershme e deri në kalimin e saj në amshim.

Romani “Dashuri të paprekura – Saga e një fryme të heshtur” i autorit Vilson Culaj, botuar nga Shtëpia Botuese “Jakup Ceraja”, përshkruan në detaje jetën dhe veprën e artistes Qena, duke e kthyer në një personazh romani.

Ky rrëfim romanor, sipas studiuesve të letërsisë, është mesazh epik sepse jo pak artistë kaluan nëpër luginën e vdekjes, por falë stoicizmit, trashëgimisë dhe vizionit të tyre, dolën ngadhënjimtare para kurtheve të botës.

“Përmes këtij rrëfimi, autori Culaj arrin të japë elemente etnopsikologjike, filozofike dhe bartë te lexuesi një mesazh, fuqinë e bukurisë artistike të fjalës si tërësi teksti dhe fjalisë si kontekst. Romani, fund e krye, e përshkon indin e shpirtit fisnik-human të kryepersonazhit dhe rrezatimin hyjnor për jetën, njerëzit dhe botën”, ka shkruar studiuesi Maxhun Osmanaj, për romanin e Culajt.

 

Ballina e romanit ‘Dashuri të paprekura’. Foto: Kallxo.com