Botohet romani ‘Mos e harro Japoninë, Suzanë’ i Aziz Mustafës

Romani “Mos e harro Japoninë, Suzanë” i Aziz Mustafës rrëfen historinë trishtuese të mjekut Leonard Malaj, i cili papritur heton shenja të një sëmundjeje të rëndë në vetvete.

Shenjat, i dalin të vërteta vetëm pak ditë më vonë dhe kështu fillon drama e tij personale, që e krijon atë që mund të quhet linja kryesore e rrëfimit.

Një betejë kundër kancerit në laring, ai e fiton, por jo luftën. Vdes përfundimisht, pasi na njeh me familjen e tij të gjerë, të ngushtë, me miqtë e tij, ballkanas dhe jo vetëm, me kulturat e ndryshme e kështu me radhë.

Ajo çfarë e veçon romanin ‘Mos e harro Japoninë, Suzanë’, nuk është vetëm trajtimi i temës, por edhe autori i romanit dr. Aziz Mustafa, i cili me profesion është mjek otorinolaringolog.

Studiues të letërsisë japin vlerësim për romanin e dr. Mustafës.

“Parë nga një perspektivë, romani i Azizit është i çliruar nga temat e mëdha dhe pikërisht për këtë duhet të çmohet. Shpesh temat e mëdha me ngjyrime nacionaliste, kanë ditur ta ngulfasin veprën letrare”, ka thënë  për Kallxo.com studiuesi Imer Topanica.

Një tjetër veçori, shton ai, e këtij romani të cilën lexuesi do ta çmojë te ky roman me patjetër, është stili i rrëfimit.

“Ai të merr dhe nuk të lëshon deri në fund. Këtë, nivel s’mund ta arrijnë vetëm rrëfimtarët e pjekur, ku bënë pjesë edhe Azizi”, ka thënë studiuesi Topanica.