Botohet një libër me ese e studime nga Demir Reshiti

Studiuesi dhe krijuesi Demir Reshiti kohë më parë ka botuar librin “Endje”,  botuar nën kujdesin e Shtëpisë Botuese “Thesari”.

Në këtë libër janë përmbledhur studime të Reshitit të botuar në viteve të fundit, gjegjësisht për përmbledhje poetike, vepra prozaike, monografi, publicistikë, ditarë, vepra të përkthyera, film e teatër.

Përmes këtij libri, sipas redaktorit Salajdin Salihu, ofrohen informacione të shkallës së lartë për veprat për të cilat shkruan krijuesi Reshiti, duke i kushtuar rëndësi, gjuhës, nëpërmjet të cilës komunikon lirshëm me lexues të ndryshëm dhe arrin të thellohet në shtresat më të thella të veprave të cilave u qaset.

“Demir Reshiti na sjell vështrime mbi vepra të çmuara zhanresh të ndryshme. Këto vështrime janë të domosdoshme për krijimin e një atmosfere kulturore dhe një ambienti vlerësues, që ndikojnë edhe në rritjen e cilësisë së veprave, që shkruhen”, ka shkruar studiuesi Salihu për shkrimet e Reshitit.

Libri është ndarë në tetë pjesë; Publicistikë, II. Ditarë, III. Ex libris, IV. Romane, V. Poezi, VI. Monografi, VII. Nekrologji, dhe VIII. Film/Dramë, ku në secilën nga pjesët që përbëjnë një tërësi, janë shkrime paraqitëse për libra zhanresh të ndryshme, përkatësisht tekste autoriale për libra të botuar të autorëve.