Botohet në Francë libri me tregime të autorëve shqiptarë 

Shtëpia botuese franceze “L’ Harmattan” ka botuar librin, “Nus vers l’independence”,  i cili përbëhet nga 35 tregime të autorëve shqiptarë. 

Libri nga java e ardhshme pritet të dal në shitje në të gjitha libraritë e shteteve frankofone. 

Në këtë vepër janë të përfshirë tregime të autorëve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi , Lugina e Preshevës. 

Shkrimtari Reshat Sahitaj, kryetar i Unionit të Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptar ka konfirmuar për Kallxo.com se libri me tregime “Nus vers l’independence“ i botuar nga SHB “L’Harmattan” me seli në Paris, nga  11 maj 2020, do dal në shitje në libraritë e shteteve  frankofone nëse nga kjo datë do të fillojnë të hapen libraritë të mbyllura nga pandemia.  

Sipas tij, botimi i kësaj vepre më përmbledhje tregimesh është më rëndësi kapitale për kulturën respektivisht për letërsinë tonë, por janë saktësisht 35 krijues të cilët përmes pendës së tyre i kanë thurur tregime dashurisë.  

“Dashuria kudo në botë është e njëjtë, mirëpo qasja e secilit autorë/re dallon nga tjerët për nga stili, shprehjet, figurat… Dihet se Ismail Kadare është ylli botëror në letërsi dhe emri i tij krijuesve shqiptarë u bënë nder, mirëpo nëse mendojmë se letërsia jonë ka një emër siç është Kadare dhe vazhdojmë të ngulitemi se përveç tij nuk ka tjetër , atëherë lirisht mund të thuhet se letërsia shqipe ka vdekur. Nuk kemi pretendime që autorët e përfshirë në këtë vepër janë të kategorisë se Isamil Kadaresë, por thjeshtë pretendojmë se letërsia shqiptare ka ekzistuar dhe ekziston  edhe pas Kadaresë”, ka thënë ai për Kallxo.com.  

Botimi i këtij libri është bërë nën kujdesin e Reshat Sahitajt, ndërsa është mbështetur edhe MKRS.