Botohet monografia shkencore për kohën e ardhme të foljes në gjuhën shqipe

Instituti Albanologjik i Prishtinës ka botuar monografinë shkencore “Koha e ardhme e foljes në gjuhën shqipe” të Sejdi Gashit.

Objekt trajtimi i kësaj monografie është koha e ardhme e foljes në gjuhën shqipe, lidhjet mes kohës, aspektit e modalitetit.

Hulumtimi i kësaj kohe në këtë studim ka përfshirë përfaqësimet e kohëve të së ardhmes në gjuhën shqipe, fushën dhe dendurinë e përdorimit si dhe dallimet e përdorimit të së ardhmes në ligjëratën e drejtë dhe atë të zhdrejtë.

Sipas autorit të kësaj monografie vëmendje i është kushtuar përdorimit dhe funksionit të së ardhmes në dialekte dhe në disa të folme të shqipes, sepse format e së ardhmes së foljes përbëjnë njërin nga dallimet gramatikore të dy dialekteve të shqipes.

Studimi është realizuar nëpërmjet hulumtimit sasior të përdorimit të kohës së ardhme në kategori të ndryshme të tekstit dhe leximit të literaturës.