
Libri “Mulla Hashim Kuleta”. Foto: KALLXO.com.
Botohet Monografia për mësuesin veteran të Komunës së Podujevës
Është botuar libri kushtuar mësuesit veteran të Komunës së Podujevës “Mulla Hashim Kuleta: Pishtar i arsimit në Llap”, me autor Refik Gërbeshin.
Libri ofron të dhëna dokumentare e historike për kontributin që ka dhënë Hashim Kuleta për arsimin shqip në Kosovë pas Luftës së Dytë Botëror (LDB).
Kuleta bën pjesë në mesin e shumë klerikëve fetar të cilët ndihmuan në çrrënjosjen e analfabetizmit dhe arsimimin e shqiptarëve, veçmas nga viti 1945 e këndej. Shumë prej të cilëve iu përkushtuan Shkollës shqipe me sugjerimin dhe ndihmën e Mehmet Gjevorit, ndër kontribuuesit kyç për zhvillimin e arsimit shqip pas LDB-së.
Dëshmi të tilla janë evidentuar edhe në Monografinë e Gërbeshit për Kuletën. Mësuesi Kuleta fillimisht nga 1945 dha mësim në Tërnac, Halabak, Batllavë e Dyz.
Sipas Refik Gërbeshit, autori i Monografisë, mësuesi Hashim Kuleta përveç profesionit të mësuesit një kohë sherbeu edhe si inspektor arsimi për Shkollat e Komunës së Podujevës – duke dhënë një kontribut për përmirësimin e cilësisë në arsimin kosovar.
“Ishte mësuesi i parë i Shkollës shqipe në ish-Mejtepin në Tërnavë e në Halabak dhe gjetkë. Ka punuar me klasë të kombinuara dhe me shumë nxënës, ndërsa në mbrëmje me të rritur analfabetë në vitin 1946.” – ka shkruar ndër të tjera Gërbeshi për Kuletën.
Libri “Mulla Hashim Kuleta: Pishtar i arsimit në Llap”, me autor Refik Gërbeshin është promovuar më 7 mars 2025, në Podujevë.
