Botohet libri për 'Të burgosurit politikë shqiptarë - 1989'

Në kuadër të botimeve të Institutit Albanologjik të Prishtinës, ditë më parë doli nga shtypi libri, “Të burgosurit politikë shqiptarë në Jugosllavi (1989) – Sipas dokumenteve sekrete të Ministrisë Federative të Drejtësisë dhe të Administratës”, të autorëve Sadik Mehmeti dhe Hysen Matoshi.

Libri ofrohen të dhëna të dokumentuara të hartuara në vitin 1989, nga ish- strukturat e sigurisë së ish- Jugosllavisë për 245 të burgosur politikë shqiptarë që asokohe vuanin dënimet në burgjet jugosllave.

Ndër të burgosurit politikë, sipas autorëve të këtij libri, ka emra të njohur për opinion e gjerë, të dalluar qoftë në periudhën e vuajtjes së dënimit, qoftë si të tillë që u shquan në zhvillimet historike në periudhën e mëpastajshme të ndryshimit të statusit të shqiptarëve të mbetur nën ish-Jugosllavi.

Në krye të herës do përmendur Adem Demaçin, pa dyshim, të burgosurin politikë më të njohur në mbarë Jugosllavinë e atëhershme, sikundër edhe Fehmi Lladrovcin, i cili më vonë, në luftën heroike të UÇK-së ishte komandant dhe ndër heronjtë emblemë të saj, por edhe Jakup Krasniqin, Bajram Kosumin, Ramë Bujën, Tahir Hanin, Hydajet Hysenin, Gani Krasniqin, Ali Lajçin, Mehmet Hajrizin, Bajrush Xhemajlin, Emin Krasniqin, Sami Kurteshin, Billall Sherifin, Esat Brajshorin, Berat Luzhën, Shemsi Veselin, Nait Hasanin, Halit Krasniqin, etj.

Libri ofron të dhëna me rendësi historike për mënyrën, qëllimin dhe trajtimin që u bëhej të burgosurve politikë shqiptarë nëpër burgjet e ish-Jugosllavisë.