Foto: Facebook/Utalaya

Botohet libri për fëmijë ‘Ngjyrat e natyrës me Utën dhe Miljanën’

Nën kujdesin e Fondacionit “Utalaya” dhe me mbështetje të UNMIK-ut është botuar libri për fëmijë në dy gjuhë “Ngjyrat e natyrës me Utën dhe Miljanën”.

Në njoftimin për media të Fondacionit “Utalaya” thuhet se ky libër synon të promovojë dygjuhësinë, tolerancën etnike, natyrën dhe mbrojtjen e saj si dhe sportin e artin si terapi mendore e fizike.

“Personazhet e librit janë dy gra të cilat frymëzojnë me punën e tyre, ato janë: Uta Ibrahimi- alpiniste nga komuniteti shqiptar dhe Miljana Bulatović- artiste nga komuniteti serb, dhe rrëfimi përfshin ngjarjet a aventurat që zhvillohen në mes Utës e Miljanës të cilat takohen rastësisht në Mitrovicë, ku nis një shoqëri e veçantë. Kjo shoqëri spontane shërben si shembull i rrënimit të paragjykimeve dhe tregon se sa shumë gjëra të bukura mund të realizohen në një shoqëri që e përkrah të mirën dhe njëri tjetrin pavarësisht dallimeve racore, etnike apo fetare”, thuhet në njoftimin e Fondacioni “Utalaya”.

Me këtë libër, thuhet më tej një njoftim, synohet që të ndërtohet besimi mes komuniteteve si dhe të përçohen mesazhe edukative, paqësore dhe dashmirëse për Kosovën dhe komunitetet që jetojnë në të.

Sipas Fondacionit “Utalaya”, libri do të shpërndahet falas nëpër qendra e organizata që punojnë me fëmijë nga grupe të margjinalizuara por edhe shkolla dhe qendra edukative e kulturore në Mitrovicë.

Ky është libri i dytë për fëmijë që krijohet nga Fondacioni “Utalaya”, dhe kjo organizatë shprehet të jetë shume ë motivuar për të vazhduar me projekte tjera që lidhen me botimin e librave për fëmijë.

Foto: Facebook/Utalaya