Botohet libri "Gjuha, letërsia dhe filmi" i publicistit Enver Morina

Publicisti e gazetari, Enver Morina ka botuar ditë më parë librin “Gjuha, letërsia dhe filmi”. Libri përmban 15 intervista me krijues shqiptarë të artit dhe kulturës.

Në libër janë përfshirë intervistat që Morina ka realizuar me krijuesit e fushave të ndryshme: Gjergj Vlashin, Dritëro Agollin, Wilfrif Fiedler, Skënder Drini, Esta Stavilevi, Teki Dervishi, Rexhep Ismajli, Natasha Lako, Isa Qosaj, Sabri Hamiti, Robert Elsie, Reshat Arbana, Ylljet Aliçka, Petrit Ruka dhe Bekim Lumi.

Studiuesi Bashkim Hoxha, recensent i librit, ka shkruar se ky libër është një kontribut me vlerë në trajtimin e problematikave të letërsisë dhe arteve.

Mbi të gjitha sipas tij, plotëson informacionin e munguar të historisë së vonët të letërsisë dhe arteve këndej dhe andej Drinit.

“E veçanta e këtij libri është sepse janë vetë protagonistët e letërsisë dhe arteve që flasin duke na sjellë jo vetëm informacione të bollshme, por edhe këndvështrimet e tyre personale duke zbërthyer procesin krijues dhe historinë e vonët të letërsisë dhe arteve nga pozicione të ndryshme.” – ka thënë Hoxha.

Ky libër, shton Hoxha në vete, është një vlerë shtesë mbi kontributet e shquara që kanë dhënë personalitetet e shquara që janë intervistuar.

Sipas tij, përveç krijimeve që analizohen në dialog me autorin e intervistave, ne kemi mundësinë të njihemi edhe me mendimet e tyre të çmuara.

Enver S. Morina, (1965) publicist e gazetar, shkruan ese e kritikë letrare e kinematografike, opinione, analiza. Shkrimet e tij janë botuar në mediat e ndryshme shqiptare.

Është autor edhe i monografisë “Shndrit ndër breza, Hamit Krasniqi” (2010) dhe i veprës me tregime “Rr’nimi i Arbërit” (2021).