Biblioteka Kombëtare ‘Pjetër Bogdani’ shënon 75 vjetorin e themelimit

Biblioteka Kombëtar e Kosovës, “Pjetër Bogdani” ka shënuar sot, ‘Ditën e bibliotekës”, përkatësisht 75 vjetorin e themelimit të saj.

Zyrtarë të kësaj biblioteke gjatë ceremonisë së shënimit të këtij përvjetori potencuan rëndësinë që ka Biblioteka Kombëtare në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore- shkencore, por edhe të materialit librar dhe të shkruar.

Fazli Gajraku, drejtor i BK “Pjetër Bogdani” ka  folur për proceset zhvillimore të Bibliotekës Kombëtare.

“Ne jemi duke punuar në politikat e zhvillimit të koleksioneve dhe mbledhjen dhe dokumentimin e kulturës gojore të Kosovës, në digjitalizimin e koleksioneve të bibliotekës, në bibliografinë e librit shqip të Kosovës, në zgjedhimin, shtrirjen dhe shpërndarjen e botimeve të Kosovës dhe promovimin e tyre”, ka thënë Gajraku.

Ndërkaq, Sazana Çapriqi, kryesuese e Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtar ka pohuar ndër të tjerash se kjo bibliotekë ende nuk ka arritur t’i lë prapa disa probleme kryesore që vështirësojnë funksionimin e përditshëm.

“Kjo bibliotekë akoma ballafaqohet me probleme si ujin që pikon nga çatia e po ashtu edhe ujërat nëntokësore e tokësore që paraqesin rrezik konstant për librin dhe teknologjitë që përdoren në bibliotekë”, ka pohuar ndër të tjerash Çapriqi.

Në fund, përveç mirënjohjeve për punëtorët e bibliotekës, u promovua edhe projekti “Lufta e Kosovës në shtypin britanik 1989/99”, nga një kopje digjitale e të cilit iu dhurua bibliotekave kosovare komunale dhe të fakulteteve të UP-së.

“Dita e bibliotekës” nga BK ‘Pjetër Bogdani”, shënohet në çdo 25 nëntor më një sërë aktivitetesh.