Bashkëpunimi gjermano - kosovar drejt realizimit të shfaqjes ‘Kthimi i Karl Majit’

Teatri Kombëtar i Kosovës, Qendra Multimedia dhe teatri gjerman “Volksbühne” në Berlin, janë duke bashkëpunuar për realizimin e shfaqjes “Kthimi i Karl Majit”.

Shfaqja “Kthimi i Karl Majit” me tekst të Jeton Nezirjat dhe regji të Blerta Nezirajt do të prezantohet si ekstrakt teatror online gjatë festivalit transkulturor të teatrove, “Postwest”.

Ky festival do të mbahet nga 24 deri më 26 qershor në Berlin, në teatrin “Volksbühne”.

Menaxhmenti i Teatrit Kombëtar përmes një njoftimi ka bërë të ditur se shfaqja “Kthimi i Karl Majit”, e plotë, si realizim skenik do të jepet në shtator, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, pastaj pritet të nisë turneun ndërkombëtar.

Shfaqja “Kthimi i Karl Majit” rrëfen historinë e Kara Ben Nemsi, personazhi i njohur i Karl Majit, që arratiset nga Lindja dhe, bashkë me një grup aktorësh nga Kosova, ia mësynë ‘tokave gjermane’.

Në shfaqje luajnë aktorët: Arta Muçaj, Armend Smajli, Edona Reshitaj, Adrian Morina, Ylber Bardhi dhe Shpëtim Selmani.