Foto: Qendra Multimedia.

“Balkan Bordello” - shfaqja më e mirë në festivalin e Nishit

Shfaqja “Balkan Bordello”, me tekst të Jeton Nezirajt dhe regji të Blerta Nezirajt, është zgjedhur si shfaqja më e mirë e edicionit të sivjetmë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Nish të Serbisë “Nisville Jazz Theater Festival”.

Qendra Multimedia nga Prishtina ka bërë të ditur se “Balkan Bordello”, një bashkëprodhim me teatrin La MaMa (SHBA); Atelie 212 (Serbi) dhe My Balkans (SHBA/Serbi) është vlerësuar si shfaqja më e mirë në edicionin të sivjetmë të këtij festivali.

“Kjo shfaqje e bazuar në trilogjinë “Orestia” të Eskilit, në vete mbërthen edhe momentumin bashkëkohor të historisë së Evropës, sidomos atë të Ballkanit ku luftërat e fundit kanë lënë shumë pasoja” – thuhet në njoftimin e Qendrës Multimedia.

Shfaqja do të vazhdojë turneun veror në “Ohrid Summer Festival” (10 gusht); në “KotorArt International Festival” (12 gusht) dhe “Wild Beauty Art” në Zhablak (13 gusht).

Foto: Qendra Multimedia.