Skenë nga baleti “Tango Nights”, Foto: BKK

Baleti Kombëtar prezantohet në festivalin "Cheonan World Dance Festival" në Korenë e Jugut

Baleti Kombëtar i Kosovës (BKK) do të udhëtojë për në Korenë e Jugut për të marrë pjesë në festivalin “Cheonan World Dance Festival 2024”, i cili do të mbahet më 23.09.2024.

Sinan Kajtazi, drejtor i BKK-së ka thënë për KALLXO.com se është hera e parë që ky balet prezantohet në ndonjë festival në Azi.

Festivali “Cheonan World Dance Festival 2024” mbahet në qytetin Cheonan të Koresë së Jugut.

Kajtazi ka thënë se në këtë festival, BKK do të prezantohet me pjesë nga tri shfaqje.

“BKK do te paraqitet me pjesë nga tri shfaqje të repertorit, konform formatit të festivalit dhe shfaqjet janë ‘Aeon’, ‘Halili dhe Hajria’ dhe pjesë nga shfaqja ‘Tango Nights’”- ka thënë drejtori Kajtazi.

Paraqitjet e BKK në “Cheonan World Dance Festival 2024” do të jenë në data: 26, 28, 29 dhe 30 shtator 2024, në vende dhe skena të ndryshme, sipas itinerarit të këtij festivali.