Baleti Kombëtar nis 2020-ën me shfaqjen ‘Pristine Conditions’

Baleti Kombëtar i Kosovës nis sot sezonin e shfaqjeve për 2020 me reprizën e baletit “Pristine Conditions”.

Shfaqja “Pristine Conditions” me koreograf Arthur Kuggeleyn jepet sot në mbrëmje duke filluar nga ora 20:00 në skenën e Teatrit Kombëtar.

“Pristine Conditions” është një shfaqje që i kushtohet qytetit të Prishtinës, përmes së cilës balerinët kosovarë shprehin shqetësimin për natyrën dhe për kujdesin ndaj saj.

Gjatë këtij muaji Baleti Kombëtar do të shfaqë edhe reprizën e “Recomposed” me koreografi të Christopher Beranger & Jonathan Pranlas-Descours, dhe Shfaqja “Exil” të Eno Peçit.

Ndërkaq premierën e parë për këtë vit ky balet planifikon ta realizojë në muajin mars.

Kreshnik Musolli, ushtrues i detyrës së drejtorit të BKK ka thënë në një prononcim për Kallxo.com se për 2020 BKK-ja planifikon realizimin e tri premierave

“Për 2020 ne planifikojmë të realizojmë tri premiera, një në muajin mars, një në maj dhe një në nëntor”, ka thënë Musolli.