Logoja Unioni Turistik i Kosovës. Foto: UTK

Baki Hoti: Qeveria pa vizion për të mbështetur sektorin e turizmit

Sektori i turizmit në Kosovë ende nuk e ka marrë as një cent ndihmë nga Qeveria e Kosovës, për të përballuar dëmet e shkaktuara nga Coronavirusi.

Baki Hoti, kryetar i Unionit të Turizmit të Kosovës (UTK) ka thënë se Qeveria e Kosovës ka ndarë 3 milionë euro në kuadër të pakos së rimëkëmbjes për sektorin e turizmit. Por, shton ai, kjo shumë nuk është pranuar nga UTK-ja.

Në një bisedë për KALLXO.com, Hoti ka thënë se shuma e ndarë për mbështetjen e sektorit të turizmit është e papranueshme për UTK-në.

Foto: Facebook/Baki Hoti

Sipas tij, ndihma prej 3 milionëve nëse përpjesëtohet me numrin e bizneseve (12 mijë biznese) në këtë sektor i bie që të ndahen diku 60 -70 euro për një biznes.

“Qeveria përmes pakos së rimëkëmbjes, ka ofruar një buxhet prej tre milionë eurove për të mbështetur fushën e turizmit, por UTK në bashkëpunim edhe me akterë tjerë e ka refuzuar këtë shumë dhe kemi kërkuar që kjo shumë të rishikohet, të analizohet dhe njëherësh dhe të plotësohet me një shumë më të madhe”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, nuk është korrekte që një biznes që ka humbur qindra milionë euro për shkak të pandemisë dhe kufizimeve të vëna nga qeveria për shkak COVID-19, t’i ofrohet një ndihmë aq e vogël.

“Paramendoje që t’i shkohet një biznesi që ka një dëme prej qindra mijëra eurove dhe t’i ofrojmë mbështetjen e qeverisë 60 -70 euro. Kjo ta quaj në zhargonin popullor, është hajgare nga institucionet e Republikës së Kosovës, dhe ende nuk kemi një përgjigje ose një gatishmëri të institucioneve”, ka thënë Hoti për KALLXO.com.

Sipas tij, pandemia ka dëmtuar edhe fushën e sektorit të turizmit duke goditur, sidomos punësimin. Por, sipas tij, për dëmet më saktësisht do të dihen pas publikimit të një raportit rreth ndikimit të pandemisë në sektorin turistik.