Avokati i Popullit, Naim Qelaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Avokati i Popullit kundërshton rregulloren e gradimit të Ministrisë së Kulturës

Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të viti 2019, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporti kishte miratuar rregulloren nr. 04/2019, për “Themelimin dhe funksionimin e Ansamblit Rezident të Teatrit Kombëtar dhe të Teatrove të qyteteve”.

Por, kjo rregullore po del të jetë e parregullt, pasi bien ndesh me rregulloren nr. 15/2018 për “Gradat dhe pagat e përformuesëve të kulturës dhe punonjësve profesional të trashëgimisë kulturore”, të miratuar nga Qeveria e Kosovës në 2018.

Avokati i Popullit ka dalë me një raport dhe kërkon nga MKRS ndryshimin dhe harmonizimin e rregullores nr. 04/2019 me rregulloren e Qeverisë nr. 15/2018.

Raporti i Avokatit të Popullit është marrë pas ankesës që ka bërë në këtë institucion, Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës (TKK).

Përmes këtij raporti, i cili i drejtohet krerëve të MKRS-së, ministres në detyrë të Kulturës, Vlora Dumoshi dhe ushtruesit të detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm, Iber Alaj, Avokati i Popullit konstaton se ka shpërputhje mes rregulloreve sa i përket kritereve të gradimit të aktorëve të TKK-së.

Sipas raportit, Avokati i Popullit ka vërejtur se në nenin 8 të rregullores nr. 04/2019, si përvojë pune njihet vetëm përvoja e aktorëve, të cilët janë punësuar si anëtarë të rregullt të ansamblit rezident apo teatrove simotra, mirëpo, shton më tej raporti, nuk përcaktohen kriteret tjera sipas të cilave mund të kategorizohen aktorët.

Sipas raportit, ka paqartësi se a merret parasysh përvoja e realizuar në teatrot e qyteteve, si kriter për kategorizimin e aktorëve.

“Avokati i Popullit konsideron se një normë për t’u zbatuar me sukses, duhet të jetë e qartë, e veçanërisht normat të cilat përmbajnë kritere të gradimit ose të kategorizimit të subjekteve të caktuara. Në rastin konkret, Avokati i Popullit thekson se kriteret e gradimit të përcaktuar në nenin 6 të rregullores nr. 15/2018 do të duhej të përfshiheshin në tërësi në nenin 8 të rregullores nr. 04/2019 të MKRS-së”, thuhet në raport.

Avokati i Popullit konstaton se në aspektin kohor rregullorja nr. 15/2018 është miratuar më herët se rregullorja nr. 04/2019, andaj konstaton se në kuptimin hierarkik, aktet e miratuara nga Qeveria e Kosovës i dominojnë aktet e miratuar nga ministrisë.

Nisur nga ky fakt, ky institucion i rekomandon MKRS-së që ta ndryshojë rregulloren për “Themelimin dhe Funksionimin e Ansamblit Rezident të Teatrit Kombëtar dhe të qyteteve”, përkatësisht nenit 8 i kësaj rregulloreje të harmonizohet me nenin 6 të rregullores për “Gradat dhe pagat e Krijuesve dhe përformuesëve të Kulturës dhe të punonjësve profesionalë të trashëgimisë kulturore”.

Ministria e Kulturës

KALLXO.com ka kërkuar një përgjigje edhe nga MKRS lidhur me raportit e Avokatit të Popullit, por deri në publikimin e artikullit, nuk ka marrë përgjigje.

Naim Berisha, nënkryetar i Shoqatës Sindikale të TKK-së, ka thënë për KALLXO.com se pas raportit të institucionit të Avokatit të Popullit, i cili konfirmon se rregullorja nr. 04/2019 për “Themelimin dhe funksionimin e Ansamblit Rezident të Aktoreve të Teatrit Kombëtar dhe teatrove të qyteteve”, siç thotë ai, është e paligjshme, Ministria e Kulturës është e obliguar që urgjentisht, të anuloj vendimin për gradimin e aktorëve të Ansamblit Rezident të Teatrit Kombëtar, i cili është i bazuar në këtë rregullore.

Më anulimin e këtij vendimi, sipas tij, të gjitha pagat e aktorëve duhet të bien në pagën bazë, përkatësisht në nivelin e pagave të aktorëve të kategorisë së tretë, deri në momentin e gradimit të ardhshëm.

“Vlen të ceket se rregullorja në fjalë, është nënshkruar nga ish ministri atëhershëm i qeverisë në dorëheqje dhe është protokolluar me datë 22.08.2019, ditën e shpërndarjes së legjislaturës se parafundit të Parlamentit të Kosovës. Rregullorja në fjalë është diskriminuese për aktorët me potencialin më të madh që ka Trupa Rezidente dhe i shkelë të drejtat e njeriut”, ka thënë Berisha.

Rregullorja nr. 04/2019, për “Themelimin dhe funksionimin e Ansamblit Rezident të Teatrit Kombëtar dhe të teatrove të qyteteve”, e miratuar në tetor 2019, që i hapi rrugë gradimit të aktorëve në TKK, nuk gjendet e publikuar në webfaqen e MKRS-së apo të TKK-së.

Në webfaqen e MKRS ende figuron rregullorja  05/2014, për “Themelimin dhe funksionimin e Ansamblit Rezident të Teatrit Kombëtar dhe të teatrove të qyteteve”.

Teatri Kombetar
foto; Denis Sllovinja