‘Autostrada Hangar’. Foto: Facebook/Autostrada Biennale.

‘Autostrada Hangar’ bëhet me program e hapësira të reja multifunksionale

Prizreni, tashmë ka një institucion me program vjetor, ku të rinjtë do të kenë mundësi të marrin apo zgjerojnë aftësitë e tyre në artin bashkëkohorë dhe industrinë kreative.

E vendosur në ish-bazën gjermane të KFOR-it, tash ITP, “Autostrada Hangar” është hapësirë multifunksionale që do t’i plotësojë nevojat e komuniteteve të ndryshme duke e konsideruar prodhimin e artit si formë të qëndrueshme e të mësuarit, shkëmbimit dhe bashkëpunimit.

Hapësira e re e “Autostradës Hangar” është inauguruar javë që shkoi.

Vatra Abrashi, pjesë e stafit menaxhues të “Autostradës Hangar” ka thënë për KALLXO.com se hapësirat e reja janë dizajnuar në mënyrë të veçantë dhe për t`u përshtatur në forma të ndryshme.

Ajo shtoi se 50% e materialeve të ekspozitave që ishin mbajtur janë përdorur për rregullimin e hapësirave të këtij hangari.

“Çka vlen me u përmend është se hapësira është rregulluar me materiale të ricikluara dhe është krijuar në bashkëpunim me të rinjtë. Gjithçka është e lëvizshme; tavolina, libraria, kuzhina, tavolinat e mëdha të punës prej metali e druri, të gjitha janë me rrota, që me iu përshtat komunitetit dhe programeve vjetore që do të mbahen”, tha Abrashi.

Abrashi thotë se në këtë hapësirë në vazhdimësi do të ketë aktivitete për edukim dhe prodhim, ekspozita dhe evente të tjera, qoftë për mbrojtjen e mjedisit, qoftë panele diskutimi e program të edukimit publik, etj.

Me hapjen e hangarit, shton ajo është lancuar edhe projekti ‘Studio e hapur” ku njerëzit kreativ, artistë, dizajnerë, arkitektë mund të shfrytëzojë hapësira dhe mjetet për nevojat e tyre.

“Autostrada Hanga” do të jetë edhe një mundësi e mirë për të rinjtë të fitojnë njohuri sidomos në punë praktike.

“Programet e edukimit i kemi fillu për shkak se kemi pa se shumë të rinj që kanë aplikuar për me punu në ‘Autostradën Bienale’ kur ka ardhur puna tek puna praktike kanë ngecur. Për atë  kemi mendu që duhet të zhvillojmë programe ku të rinjve t`u japim mundësi për me i zhvillu njohuritë edhe në aspektin praktik, duke sjellë edhe ekspertë të huaj”, është shprehur Abrashi.

“Autostrada Hangar” si pjesë e “Autostrada Biennale” në Prizren, nisi punën vitin e kaluar. Shumë persona, deri më sot kanë qenë pjesë e programeve dhe aktiviteteve të kësaj autostrade. Ndërsa janë organizuar edhe ekspozita të ndryshme.

Autostrada Hangar u mundësua me mbështetjen dhe partneritetin bujar të ITP Prizren dhe Ambasadës Gjermane në Prishtinë, Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Komunës së Prizrenit, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, FAI Fondacionit për Iniciativa Artistike, Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim, Ambasadës së Luksemburgut në Prishtinë, UNKT dhe UNDP, Kreativ Qeramika dhe Gjirafa50.

Këtu mund ta gjeni edhe një video rreth “Autostrada Hangar”.

 

Pamje nga hapësirat e ‘Autostrada Hangar’. Foto: Facebook/ Autostrada Biennale.

 

Pamje nga hapësirat e ‘Autostrada Hangar’. Foto: Facebook/ Autostrada Biennale.

 

Pamje nga hapësirat e ‘Autostrada Hangar’. Foto: Facebook/ Autostrada Biennale.

 

Pamje nga hapësirat e ‘Autostrada Hangar’. Foto: Facebook/ Autostrada Biennale.

 

Pamje nga hapësirat e ‘Autostrada Hangar’. Foto: Facebook/ Autostrada Biennale.