Ministria e Kulturës, Prishtine. 21 Maj 2015. Photo: Atdhe Mulla.

Auditori: Ministria e Kulturës pagoi mbi 480 mijë euro qiranë e objektit të pashfrytëzuar

Mbi 480 mijë euro është shuma që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka paguar gjatë 2021, për qiranë e një objekti që nuk e shfrytëzoi asnjë ditë.

Në raportin e auditimit thuhet se Ministria e Kulturës më 30 dhjetor 2021 ka realizuar pagesën në vlerë 481,651 euro, (415,678 euro borxh kryesor dhe 65,973 euro shpenzime të përmbarimit dhe kamatës), për kompaninë “Ramiz Sadiku New Co’’ SHPK.

Në shtator të 2019, MKRS nënshkroi një kontratë me Kompaninë “Ramiz Sadiku New Co’’ SHPK, për shfrytëzimin me qira të objektit të kësaj kompanie, 2500 metra katrorë në vlerë 45 mijë euro në muaj, në kohëzgjatje prej dy vitesh.

Ministria edhe pse nuk e kishte shfrytëzuar këtë objekt, nuk kishte ndërmarr asnjë hap deri më 11 gusht 2020, kur kishte marrë vendim për shkëputje të kësaj kontrate. Edhe pse nuk e kanë shfrytëzuar objektin, ata janë detyruar të paguajnë edhe pse ipas auditorit, kontrata mund të ndërpritej edhe më herët nga të dyja palët me një njoftim paraprak prej së paku një muaj.

“Dhe si rezultat i moskryerjes së obligimeve nga ministria, OE kishte dërguar lëndën tek përmbaruesi privat. Bazuar në vendimin përmbarimor Thesari me datën 30.12.2021 kishte realizuar pagesën në vlerë 481,651 euro”, thuhet ndër të tjerash në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të MKRS-së.

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e vitit 2021 ka evidentuar një varg mangësish të tjera sa i përket menaxhimit dhe kontrollit të shpenzimit të parasë publike në Ministrinë e Kulturës.

Auditori ka gjetur parregullsi në mbylljen e avanseve nga përfituesit e subvencioneve, vonesa në mbylljen e avanseve për udhëtime zyrtare, e parregullsi për pagesës e 20 pjesëtarë të strukturës ilegale “Mbrojtja civile” pa dëshmi të vijueshmërisë në punë.

KËTU mund të gjeni raportin e plotë për MKRS-në për 2021.