Auditori e nxjerr pastër Këshillin e Kosovës për Trashëgiminë Kulturore për 2019

Këshilli i Kosovës për Trashëgiminë Kulturor ka menaxhuar në mënyrën më të mirë financat për viti 2019. Ky konkludim del nga Raporti  i Zyrës Kombëtare të Auditimit të pasqyrave financiare për KKTK-në vitin 2019.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar Raporti e pasqyrave financiare vjetore për KKTK-në për 2019, duke konstatuar se ky institucion ka menaxhuar me paranë publike sipas ligjeve.

Ndërkaq edhe gjetja e vetme në raportit, (Çështja A1) që ka të bëjë me mos regjistrimi të pasurive në regjistrat përkatës, sipas Auditori (ZKA) ka ndodhur si rezultat i problemeve me softuerin e-Pasuria.

“Gjetja Sipas nenit 6 paragrafi 3 i rreg. 02/2013 për menaxhimin e pasurive jo financiare në organizatat buxhetore përcakton që – pasuria kapitale duhet të regjistrohet në SIMFK ndërsa pasuria jo kapitale dhe stoqet duhet të regjistrohen në sistemin “e-pasuria”. Gjatë testimeve kemi vërejtur që një pagesa në vlerë 5,918€, për blerje të pajisjeve të IT-së (kamera, tabletë, PC) nuk ishin regjistruar në regjistrin e pasurive nën 1,000€. Për më tej, nuk figuronin as në regjistrin e stoqeve. Për këtë vlerë, pasuria e raportuar në PFV ishte e nënvlerësuar. Kjo kishte ndodhur si rezultat i problemeve me softuerin e-pasuria, e cila nuk po bartë vlerat e sakta, për arsye se pasuritë regjistrohen (moduli: fletë pranimi i mallit), mirëpo ato nuk reflektojnë në raportin përfundimtar e-pasuria. Ndikimi Mos regjistrimi i pasurive në regjistrat përkatës reflekton me prezantim jo të drejtë të pasurisë në PFV-të e KKTK-së.”, thuhet në , pjesë A1 të raportin e Auditorit për PFV të KKTK-së për 2019.

Auditori konstaton se në çështje tjetra të trajtuara nuk ka vërejtur ndonjë mangësi domethënëse për raportim. Po ashtu në raport konstatohet se KKTK-ja ka adresuar rekomandimin e vetëm nga viti 2018.

Ndërkaq Isuf Koci, Udhëheqës Ekzekutiv në KKTK duke komentuar Raportin e 2019 për Këshillin ka thënë se KKTK- ja vazhdon të ketë performancë pozitive në menaxhimin e mirë dhe të drejtë të fondeve publike, gjë që edhe raporti i auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2019 dëshmon një gjë të tillë.

Sipas tij, KKTK ka një rekomandim që ndërlidhet me regjistrimin e pasurisë në sistemin e-Pasuria, mirëpo në bazë të dëshmive të prezantuara, kemi të bëjmë me problem teknik në kuadër të Ministrisë përkatëse që menaxhon këtë sistem dhe jo një lëshim nga ana e KKTK-së.

“Ne këtë problem e kemi adresuar me kohë dhe i njëjti ende nuk është rregulluar, në momentin që Ministria përkatëse rregullon sistemin ne do të procedojmë dhe regjistrojmë pasuritë e evidentuara në raport. Raporti i auditorit është pozitiv dhe nuk evidenton asnjë shkelje ligjore, gjë që neve si institucion na motivon të kemi një përkushtim dhe angazhim edhe me të madh në shërbim të trashëgimisë kulturore”, ka thënë Koci.

Buxheti i vitit në kaluar për KKTK-së, në fillim ishte 221,515 euro por ishte zvogëluar më pas në 150,456 euro si rezultat i vendimeve të Qeverisë për kursime buxhetore. Në total KKTK-ja, sipas auditori arriti ta shpenzojë 98% të buxhetori apo 147,264 euro.

“Me vendimet e Qeverisë të Republikës së Kosovës Nr.02/113 të datës 05.11.2019 si dhe vendimit Nr.03/115 të datës 17.12.2019, buxheti final në raport me atë fillestar ishte zvogëluar për 71,059€. Zvogëlimi ishte te kategoria e pagave dhe mëditjeve në vlerë 70,059€ si dhe te kategoria e shërbimeve komunale në vlerë 1,000€. Kjo kishte ndodhur për shkak të kursimeve buxhetore. Ndërsa të kategoria e mallrave dhe shërbimeve nuk kishte ndryshime buxhetore”, thuhet në raportin e Auditorit.