Asistentja e ish-zv/ministres së PDK-së punësohet pa konkurs në Ministrinë e Kulturës  

Feime Salihu, asistentja e ish-zëvëndësministres së Kulturës, Leonora Morina- Bunjaku është punësuar pa konkurs në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. 

Salihu është pranuar si asistente administrative në Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm në MKRS, pa ndjekur asnjë procedurë konkurimi, pak pas përhapjes së pandemisë dhe kur qeveria vendosi masat kufizuese për luftimin e COVID-19. 

Feime Salihu, nuk ka dashur të flas për punësimin e saj në Zyrën e Sekretarit në MKRS. Ajo ka thënë se për këtë t’i drejtohemi zyrës së Sekretarit. 

“Për çdo gjë që keni ju lutem drejtohuni të Sekretarit”, ka thënë ajo. 

 Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm në MKRS ka pranuar e Feime Salihu është pranuar në punë pa konkurs, por punësimin e ka arsyetuar me situatën me COVID-19. 

“Siç mund të jeni në dijeni, pozita asistente administrative e zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm në MKRS ka një kohë që ishte vakante. Duke pasur parasysh rrethanat e pandemisë, dhe vendimet e qeverisë për staf esencial, unë si Sekretar i Përgjithshëm kam pasur për obligim të paraqitem në punë çdo ditë, ndërsa stafi im i zyrës është i domosdoshëm për funksionimin e ministrisë, e sidomos në një kohë kur mbi 90% e punonjësve të ministrisë nuk kanë qenë prezent në punë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Sekretarit.  

Në këso rrethana, thuhet më tej në përgjigje e zyrtarëve të MKRS-së, për arsye të njohura, qeveria e Kosovës ka angazhuar shërbime të ndryshme duke mos aplikuar fare procedurat e prokurimit, në këtë kuadër edhe shërbimet konsulente, qoftë edhe të natyrës ndihmëse, organizative dhe administrative bien në fushëveprimin e ligjit për prokurim publik kur bëhet fjalë për angazhim me kontrata të veçanta për shërbime specifike, sepse këto shërbime nuk janë rregulluar me legjislacionin për shërbimin civil, në mungesë të një rregullore për procedura të thjeshtësuara të cilën qeveritë e deritanishme nuk e kanë nxjerrë ende.  

“Ndërsa këto shërbime janë kontraktuar në këtë formë, pas përfundimit të afatit ligjor të përcaktuar, me shpresë që situata do të normalizohet shpejt, ky vend do të plotësohet me anë të konkursit publik sipas legjislacionit përkatës në fuqi”,  thuhet në përgjigjen e Zyryës së Sekretarit të MKRS-së. 

Fillimisht Feime Salihu në MKRS ishte angazhuar në punë si asistente administrative e ish- zv/ministres Morina Bunjaku. 

Kallxo.com kishte raportuar në fillim te 2019 për angazhimin e Salihut në kabinetin e zv/ministres Moria Bunjaku dhe se të dyja kishin lidhje familjare.