AShAK, nisi konferencën për studimet albanistike në Itali

Organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka nisur sot në Prishtinës, konferenca dy ditore Ndërkombëtare “Studimet albanistike në Itali”.

Konferenca që do të mbahet sot dhe nesër, më 22 dhe 23 tetor 2019, në AShAK, sjell studiues të huaj dhe shqiptarë të cilët do të prezantojnë studimet për shkencat albanologjike në Itali.

Mehmet Kraja, kryetar i AShAK-ut, ka thënë me rastin e hapjes së konferencës se studimet albanologjike, pavarësisht rrethanave kanë qenë shtyllë e punës shkencore.

“Pavarësisht rrethanave shtrënguese Albanologjia ia doli të mbajë rreth vetës studiues të pandikuar të cilët i bën ballë qoftë reproduksionit, qoftë përfshirjes ideologjike dhe politike”,  ka thënë Kraja.

Kraja ka thënë se albanologët e rinj të Prishtinës përballen me mosnjohje të pashembullt të punës së tyre, të cilët detyrohen që referencat shkencore bibliografike për ngritje në titujt universitar t`i sigurojnë në botime shkencore jashtë Kosovës.

Ndërsa akademik Rexhep Ismajli ka potencuar se raportet e shqipes me latinishten, italishten e gjuhët tjera romane kanë qenë vazhdimin në traditën e studiuesve italian.

“Studimet e shqipes në Itali kanë qenë të ndërlidhura pej kohësh me botën arbëreshe dhe intersimet e saja për ta ruajtur gjuhën, por ato janë zhvilluar me një intensitet të shtuar dhe në qendrat studimore italiane”, ka thënë ndër të tjerash akademik Ismajli.

Sipas programit të kësaj konference, studiues shqiptarë, italianë dhe të tjerë do të prezantohen me kumtesa rreth studimeve të tyre sa i përket fokusit dhe interesimeve studimore për shqipen të kryera në shtetin Italian.

Në fillim pjesëmarrësit në ceremoninë e hapjes së kësaj konference nderuan me një minutë heshtje albanologun gjerman Wilfried Fiedler.