Akademia e Shkencave dhe Arteve te Kosoves Foto: ASHAK

AShAK kërkon nga Akademia Suedeze e Shkencave ta anulojë vendimin për Nobelin për Letërsi

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës i ka reaguar Akademisë Suedeze të Shkencave, e cila i ndau çmimin Nobel për letërsinë për 2019 austriakut Peter Handke.

Përmes një komunikate për media, AShAK bën të ditur se i është drejtuar me një letër Akademisë Suedeze të Shkencave, përkatësisht Jurisë për ndarjen e Çmimit Nobel për Letërsi, përmes së cilës shpreh indinjatën e akademikëve kosovarë për vendimin për laureatin e sivjetmë.

“Me indinjatë të thellë morëm lajmin e shëmtuar se laureat i Çmimit ‘Nobel’ për Letërsi për vitin 2019 është shkrimtari Peter Handke, një eksponent i shquar i ideve fashiste të nënshtrimit dhe robërimit të popujve dhe mbështetës i pasionuar i Milosheviqit dhe i luftërave të tij gjenocidale në Ballkan, përfshirë edhe Kosovën”, thuhet në letrën e AhHAK që mban firmën e kryetarit të saj, akademik Mehmet Kraja.

“Si Akademi e një shteti të sapokrijuar mbi vlerat perëndimore të lirisë së popujve dhe institucion që edhe vetë ka vuajtur segregacionin dhe aparthejdin e një regjimi të urryer dhe luftën e tij shfarosëse, nuk kemi besuar se kaq shpejt do të përballemi me humbjen e kujtesës dhe amnistinë morale të atyre që mbështeten me aq pasion një vrasës të popujve, siç bëri laureati i juaj, Peter Handke”, thuhet më tej në reagim.

Mospajtimi i thellë, thuhet më tej në letër,  me angazhimet politike dhe deklarimet publike të Handkes, bashkë me mbështetjen e pakursyer të mbarë botës progresive, përfshirë edhe Suedinë, bëri që sot popull ynë të njohë lirinë dhe jetën e dinjitetshme.

Sipas AShAK-ut, Peter Handke nuk ishte në anën e drejtë të historisë së popujve të Ballkanit dhe as të Kosovës; nuk ishte në anën e ndritshme të ideve, por gjeti strehë në anën e errët të ngjarjeve tragjike të Ballkanit.

“Si rrallë ndokush tjetër, ai mori pjesë në varrimin e Milosheviqit dhe deklaroi: “Nuk e di të vërtetën. Por unë shoh. Unë ndjej. Unë mbaj mend. Andaj  jam këtu sot, pranë Jugosllavisë, pranë Serbisë dhe pranë Sllobodan Milosheviqit.” Më herët, në maj të vitit 1999, ai u deklarua kundër bombardimeve të NATO-s, duke thënë se Aleanca Veriatlantike nuk është duke parandaluar Aushvicin e ri, por është duke e krijuar atë. Ai sulmoi pa dallim të gjithë ata që mbështetën ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, qofshin politikanë apo dijetarë të shquar të mbarë botës. Ende sot trazojnë Ballkanin aq shumë viktima pa varre, të cilat kërkojnë prehje dhe drejtësi”, thuhet në letrën e AShAK-ut dërguar akademikëve suedezë.

Më tej AShAK potencon se ideja se angazhimet dhe bindjet politike duhet ndarë nga vepra e një shkrimtari, nuk funksionon në rastin e Peter Handkes. Përkundrazi, idetë e tij agresive u afishuan aq shumë, teksa synonin të luhatnin fondamentin e vlerave të civilizimit dhe humanitetit.

“Të zhgënjyer thellësisht me ndarjen e sivjetshme të Çmimit Nobel, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës kërkon të anulohet ky vendim i Akademisë Suedeze, si akt mirëkuptimi e solidariteti me të gjithë popujt e botës që luftojnë për liri dhe vlera demokratike”, thuhet në letrën e AShAK-ut drejtuar Akademisë Suedeze të Shkencave.