Karrigia e zbrazët e PDK-së në #DebatPernime. Foto: Kallxo.com

Artistët në politikë: Për punë apo për 'amin' ndaj shefave të partive?

Me afrimin e zgjedhjeve, partitë politikë kanë nisur rekrutimin e figura publike në radhët e tyre, duke bërë vend edhe për njerëzit e artit dhe të kulturës.

Aderimet e artistëve dhe krijuesve kosovarë në partitë politike, sidomos në prag të zgjedhjeve qoftë lokale apo qendrore, nuk kanë munguar që nga paslufta. Madje disa aderuesve edhe kanë mbajtur poste të rëndësishme publike.

Por pavarësisht këtij angazhimi nuk është se angazhimi i kulturorëve në politikë ka sjellë ndonjë ndryshim në politikat zhvillimore në vend.

Edhe tash në prag të zgjedhjeve që pritet të ndodhin nuk po mungojë aderimet e njerëzve të kulturës, sikur që ndodhi ditë më parë kur drejtori i Teatrit Kombëtar, Agim Sopi, aderoi në Lëvizjen Vetëvendosje apo para disa muajve kur artistja Eliza Hoxha aderoi në PDK.

Megjithatë krijuesit dhe njohësit e zhvillimeve në vend japin mendime të ndryshme sa i përket aderimeve të krijuesve dhe artistëve në partitë politikë në prag të zgjedhjeve.

Rudaku: Aderime pa subjektivitet

Avni Rudaku, ekspert në socio- kulturë, ka thënë për KALLXO.com se mënyra e rekrutimit, anëtarësimit dhe aderimit, koha e tyre, hapësira që u jepet, shkalla e angazhimit, janë fund e krye me promocion paraelektoral dhe pa efekte të duhura.

“Partitë politike i marrin këto figura, i shfrytëzojnë politikisht sa për emër e mbiemër dhe sa për mesazhin se ne kemi kuadro gjithandej, duke përfshirë edhe fushën e kulturës”, ka pohuar ai.

Rudaku vetë ka qenë anëtar i Vetëvendosjes por kishte dhënë dorëheqje nga kjo parti në vitin 2014.

Përndryshe, shton ai, nuk ka pjesëtarë nga artet dhe institucionet kulturore të cilët angazhohen sinqerisht, për kohë të gjatë, në mënyrë sistematike e t’i shkruajnë programet qeverisëse për kulturë.

Për më keq, sipas Rudakut, partitë politike po ashtu janë të pasinqerta, sepse vetëm në fazën e parë të njoftimit të publikut për aderim të anëtarëve të rinj, sepse më pas, nuk i pyet kush aderuesit! Po ashtu, hapësira që u jepet më vonë, është shumë e vogël dhe nuk është e lirë.

“Nuk u jepet subjektivitet, por shpesh ua mësojnë edhe profesionin atyre, pasi udhëheqja e partisë e konsideron veten: gjithologë! I marrin sa për imazh e rejting, e më pas, i përqeshin që s’dinë as në profesionin e tyre! Pra, aderuesit i shohin instrumente, e jo subjekte!”, ka thënë ai.

Kurse shkrimtari Dan Ibrahimi thotë për KALLXO.com se anëtarësimet e njerëzve të kulturës në partitë politike, sidomos në prag të zgjedhjeve, bëhen për interesa të ngushta.

Foto: Facebook/Kadri Veseli

“Edhe ata ’kulturorët’ para këtyre të rinjve këtë gjë bënë përmes partive tona që gabimisht i quajmë politike. Këto parti nuk janë politike, por klane ekonomicidësh, kulturocidësh, politikocidësh etj”, ka shtuar Ibrahimi.

Kurse Ilir Muharremi, kritik arti, aderimin e njerëzve të kulturës në partitë politike e sheh si pa ndonjë interes për zhvillimet kulturore, duke konsideruar se të dështuarit në art ia mësyjnë politikë.

“Artistet e dështuar i hynë politikës dhe ata që i kanë hyrë nuk mund t’i kthehen më krijimtarisë. Sa për kontribut dihet që artistet dhe personat tjerë që zënë vend në ndonjë parti politike janë marioneta kukulla të dështuara”, ka pohuar Muharremi për KALLXO.com.

Apolloni: Artistët mund të bëjnë shumë

Por regjisori Ben Apolloni ka një mendim më ndryshme. Pavarësisht se edhe ai mendon se në të kaluarën ka pasur njerëz nga fusha e artit që kanë qenë nëpër parti politike, sipas tij, ata në vend që t’i shërbejnë artit, të mirës, të bukurës, shpesh kanë qenë armiqtë më të mëdhenj të artit, të kulturës.

Regjisori Apolloni ka thënë për KALLXO.com, se angazhimi i intelektualëve e artistëve në politikë është shumë i nevojshëm, sidomos në Kosovë.

Politika kërkon, sipas tij,  mend e kreativitet, dhe duke mos u marrë me të, njerëzit e mençur, njerëzit kreativë, e shohim rezultatin në shtetin tonë që ka mbetur më i pazhvilluari në Evropë.

“Artistët e vërtetë mund t’i japin shumë politikës, ta bëjnë të mirë, e jo siç është tani e keqe, e frikshme. Politika e keqe na e ka bërë jetën të keqe, të padurueshme. Politika kosovare ka nevojë për ide, kreativitet, ndjeshmëri e ndershmëri”, ka thënë ai.

Ndërsa ka thënë se artistët nuk duhet të tradhtojnë idealet e tyre dhe të bëhen servilë të shefave të partive ku aderojnë.