Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

(VIDEO) Kultivimi i kulturës mes ritit mijëvjeçar të nuses kërçovare dhe vallëzimit bashkëkohor

Nën ritmin e këngëve të vjetra, në natën e katërt të Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale “EtnoFest”, u mbajt riti i dasmës kërçovare nga ansambli “Fortesa” nga Kërçova.

Ky rit që daton nga periudha ilire, vazhdon të ruhet e praktikohet në Kërçovë, anipse gjatë një periudhe afatshkurtër si pasojë e rrymave të modernizmit, kishte ndaluar së praktikuari.

Kryetari i Ansamblit “Fortesa”, Shaban Dalipi tha për KALLXO.com tha se vitet e fundit është shtuar interesimi për ta praktikuar këtë rit.

“Po vazhdon kjo traditë të kultivohet, edhe pse një kohë të gjatë pati një braktisje edhe të grimit tradicional edhe të riteve të cilat janë zhvilluar për dasmën tradicionale të Kërçovës. Tani kanë filluar të aktualizohen dhe shumë dasma tani në Kosovë realizohen në këtë mënyrë, me këtë veshje që është shumë e kushtueshme, veshje tradicionale, e rëndë dhe shumë e kushtueshme, që kushton rreth 5 mijë euro, përveç stolisjeve të arit”, tha Dalipi.

Nata nisi me veshjen dhe stolisjen e nuses me traditë të veçantë të grimit në fytyrë, nga artistet popullore.

Grimerja e grimit kërçovar, Hanife Shabani tha se secila prej shenjave të vendosura në fytyrë ka nga një simbolikë.

“Simbolikat e nuses janë këto belilla, është kjo e bardha që simbolizon fatin e çiftit, pra bardhësi. Teli i bardhë simbolizon bukurinë e nuses, e teli i kaltër, simbolizon mësyshin, ngjyra e kuqe që vendoset në buzë, simbolizon dashurinë. Dhe këto janë simbolikat e nuses”, shpjegon Dalipi.

Në natën e katërt të “EtnoFest”, zuri vend edhe paraqitja e artistit Feim Leka, që me gjeste e lëvizje simbolike, luajti solo-performancën artistike kushtuar heroit Agim Ramadani.

Nën emocionin e publikut, katër valltarë të “Noa Dance Theatre Company” me koncept dhe koreografi të Robert Nuhës, performuan shfaqjen “Fox Life”.

Koreografi, Robert Nuha tha kjo performancë është pritur më mirë se që ka e ka menduar, për shkak se është zhanër më pak i lëruar në Kosovë.

“E kisha përshtypjen që ka me pasur pak konfuzitet, mirëpo e pashë publikun të emocionuar dhe se ka marrë atë që na kemi tentuar ta përçojmë përmes lëvizjeve, imazheve e koreografisë. Besoj që është bërë një punë shumë e mirë prej kërcimtarëve dhe muzikës me violinçel nga Gresa Broqi, që na nderoi. Është bërë një punë e mirë në tërësi e cila sigurisht që është në progres, që do të rritet, rimerret, do të pasurohet dhe avancohet me kalimin e kohës”, thotë Nuha.

Ndërsa, anëtarja e grupit “Noa Dance Theatre Company”, Erna Salihu tha që ka qenë sfidë që të thehen tabutë përmes një performance të tillë.

“Përgatitja e profesorit Robert ka qenë aq mirë e strukturuar sa nuk na ka ardhë shumë vështirë si grup me i mësu lëvizjet. Por, ka qenë sfiduese me paraqit diçka të re për shikuesit për shkak se është koncept që nuk është bërë më parë në Kosovë dhe është lloj i kërcimit që nuk është praktikuar. Jemi grupi i parë që e kemi bërë dhe ka qenë sfiduese pak me e thy stereotipin edhe me pru diçka të re, që të jep me kuptu një gjë në forma të ndryshme”, tha Salihu.

Mbrëmja mbaroi me muzikën live nga këngëtari nga Shqipëria, Boiken Lako.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com