Pamje nga ekspozita ‘Grandart 1970- 2000’. Foto: KALLXO.com

Tregu inekzistent i shitjes së veprave të artit në Kosovë 

Çmimi i veprave të krijuesve kosovarë është dukshëm më i ulët se i atyre të vendeve evropiane. Megjithatë shitë-blerja e veprave të artit në Kosovë mbetet mjaftë e ulët.  

Janë pak krijues të cilët arrijnë t’ i shesin veprat e tyre, e më të paktë janë ata që jetojnë nga shitja e tyre. 

Çmimet e veprave që ofrohen sot nga krijuesit tanë janë të ndryshme, varësisht nga niveli artistik, format e zhanri. Ato variojnë nga 50 euro e deri 10 mijë euro. Nuk mungon edhe fryrja e çmimeve. 

Krijuesit dhe njohësit e fushës thonë se janë shumë faktorë që ndikojë në mungesën e një tregu të mirëfilltë të shitjes së veprave artistike, sidomos kërkesat shumë të pakta të blerësve. 

 Sipas tyre, kjo po ndikon edhe në përcaktimin çmimeve të veprave.    

 Çmimet  

Krijuesi Zeni Ballazhi, profesor në Fakultetin e Arteve në Universitetin “Hasan Prishtina” në Prishtinë, ka thënë për KALLXO.com se çmimet që ofrohen nga krijuesit tanë për veprat e tyre janë më të ulëta se ato të vendeve të Bashkimit Evropian. 

Sipas tij, çmim më të lartë kanë pikturat e nivelit profesional. 

 “Çmimet e veprave të artit në Kosovë nuk janë aq të larta sa janë në vendet bashkimit evropian, p.sh. një pikturë e nivelit profesional shkon nga 1 500 – 9 500 euro, kurse nga ato mesatare 250-1 500 euro dhe ato të nivelit më të ulët, 50 – 250 euro, grafikat profesionale nga 400 – 1000 euro, mesatare 150 – 400 euro dhe të ulëta 50 – 150 euro”, ka thënë ai. 

Ai thotë se përcaktimi i çmimeve varet edhe nga llojet apo mediumet e artit që janë të ndryshme si: piktura, grafika, vizatimi, skulptura, etj. si dhe dimensionet apo materialet teknike, kur janë të realizuara dhe nga kush janë krijuar këto vepra.  

“Të gjitha këto ndikojnë edhe në përcaktimin e çmimeve sipas teknikave realizuese. Që i bie se nuk mund të shitet një pikturë me të njëjtin çmim sa një grafikë, vizatim apo ndonjë medium tjetër”, është shprehur Ballazhi. 

 Ai thotë se Kosova duhet të krijojë tregun e shitjes së veprave të artit. 

 Fryrja e çmimeve, frika e publikut 

Për piktorin Agron Mulliqi mungesa e një tregu të mirëfilltë të veprave të artit pamor ndikon edhe në çmimet që ofrohen nga krijuesit. 

Ai thotë se pikturat e tij kanë një çmim të pranueshëm për standardin kosovar.  

“Vendosja e çmimit të një vepre matet edhe nga cilësia, formati, koha e realizmit, origjinaliteti, autorësia, etj.”, ka thënë Mulliqi. 

Por, Mulliqi thotë se nuk mungon edhe fryrja çmimeve të veprat nga artistë të ndryshëm.  

“Ka piktorë që i mbivlerësojnë veprat e tyre, me çmime shumë të larta për standardin tonë. Ky mbivlerësim po bën që publiku të frikohet edhe të mos pyes për çmimin e pikturave”, ka thënë ai. 

Për të rritur interesimin e publikut për blerjen e veprave, Mulliqi propozon edhe organizimin e një panairi të veprave artistike. 

“Mendoj se ide e mirë do të ishte mbajtja, çdo dy vjet e një panairi të artit pamor, sepse aty më së miri do të shihet se çfarë po punohet dhe për të nxitur interesimin për blerjen e veprave të krijuesve të artit pamor”, ka thënë piktori Mulliqi. 

Interesimi i paktë për skulpturën 

Skulptorja Arjeta Miftari thotë për KALLXO.com se një interesim për skulptura është i vogël, pavarësisht çmimeve.  

“Çmimet e veprave dallojnë varësisht se a është pikturë a skulptura e edhe normalisht në bazë të dimensioneve – materialit, autorësisë, por edhe kërkesave”, ka thënë ajo. 

Miftari thotë se mungesa e ankandeve, panaireve, por edhe ekspozitave shitës po dëmton krijuesit pamor kosovarë.  

“Mbajtja e organizimeve e të tilla do të ndikonte edhe në përcaktimin e një standard për çmimet, njëkohësisht edhe mundësi për të krijuar një traditë për shitjen e veprave të artit. Mendoj se duhet të rritet marketingu duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë që ofrohen sot”, ka thënë skulptorja Miftari. 

Deri më sot, përveç disa ekspozitave shitës, në vend nuk është mbajtur ndonjë ankand apo formë e organizuar për shitjen e veprave pamore. Vitin e kaluar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporti hapi një thirrje për blerjen e veprave të artistëve pamor.  

Por, thirrja u anulua pasi përzgjedhja  e bërë nga MKRS për blerjen e veprave të krijuesve kosovarë në vlerë prej 247 mijë euro u kritikave nga një pjesë e krijuesve pamor kosovarë.