MKRS blen 80 vepra arti për 300 mijë euro
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka publikuar listën e blerjes së veprave të artit, sipas thirrjes për blerje të veprave të artit nga artistë vendorë për 2022.
Sipas listës së publikuar, MKRS ka blerë 80 vepra arti në shumën prej 300 mijë eurove.
Shumat për një vepër arti të blerë nga MKRS varion nga 1,500 deri në 10,000 euro.
Me blerjen e këtyre veprave MKRS thotë se po pasuron fondin publik të artit të Kosovës.
Në vendimin e saj, juria përzgjedhëse ka thënë se kriteri kryesor i vlerësimit ka qenë cilësia artistike e veprave.
Ajo thotë se do të ishte me vend organizimi i një apo disa ekspozitave shëtitëse me veprat e përzgjedhura.
Ndërkaq, MKRS ka potencuar se Qeveria e Republikës së Kosovës për blerjen e veprave të artistëve vendorë ka ndarë mjete edhe për vitin 2023 dhe 2024, respektivisht 350,000 euro dhe 400,000 euro.
Krahas thirrjeve publike, MKRS thotë se vitin e ardhshëm do të bëhen edhe blerje direkte nga koleksionet familjare dhe individuale të veprave të artistëve që nuk jetojnë më.
Vitin e kaluar MKRS ishte detyruar të anulonte gjithë procedurat e thirrjes publike për blerjen e veprave te artit të artistëve vendorë nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike, pas reagimeve të komunitetit artistik.