Nga Angros Fest 2018. Foto: Facebook

Art e ushqim tradicional: Nis në Gjilan festivali 'Angros'

Ka nisur sot në Gjilan edicioni i dytë i festivalit “Angros”, një festival i cili karakterizohet nga gërshetimi i artit, muzikës dhe ushqimeve tradicionale.

Festivali është hapur sot në orët e pasdites dhe për dy ditë sa do të zgjasë, përveç artit dhe muzikës do të ketë edhe shumë aktivitete tjera të ndryshme duke e bërë këtë festival unik për regjionin e Anamoravës.

Përmes një njoftimi Komuna e Gjilani ka bërë të ditur se organizator i festivalit është Komuna e Gjilanit, në bashkëpunim me “Balkan Union”, ndërsa pritet të performojnë grupet si: Offchestra, Jericho, etj.

Hapja e këtij festival është përshëndetur edhe nga kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili sipas njoftimit të Komunës ka uruar ekipin organizator të festivalit.

“Ky është viti i dytë që po organizohet dhe do të jetë gjithnjë mbështetja që ky festival në të ardhmen edhe më tej të ketë zgjerimin e tij si në kohë, ashtu edhe në zgjerim të pjesëmarrjes në fushën e artit dhe lëmive të tjera kulturore. Gjilani është qendër e kulturës dhe ky epitet është dëshmuar me organizime të ndryshme në bashkëpunim me komunitetin e gjerë artistik”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri, në virgjilje të hapjes së edicionit të dytë të festivali Angros.