Arianit Beqiri hap ekspozitë në Shëngjin me temë dhunën në familje

Artisti Arianit Beqiri ka hapur ekspozitën “Emrat të cilët mungojnë” në Shëngjin në Shqipëri.

Veprat e ekspozuara në kuadër të kësaj ekspozite në Long Bar, në qendër të qytetit bregdetar vijnë si protestë ndaj trajtimit të gruas në shoqërinë shqiptare.

Artisti Beqiri ka thënë në një prononcim për KALLXO.com se në këtë ekspozitë janë ekspozuar dy vepra, një pikturë dhe një instalacion.

Piktura është një grua gjatë luftës së fundit në Kosovë e cila pret lajmin për ‘burrat e shtëpisë’, pra për burrin e vet e djemtë e saj.

Ndërsa, instalacioni  është ndërtuar me enë të kuzhinës ku të bashkuara kanë krijuar një përparëse.

“Simbol i gruas në shoqëritë patriarkale. Pra, gruaja e ka vendin në kuzhinë. E, ato enë të kuzhinës jo rrallëherë janë mjete të dhunës”, ka thënë ai.

Beqiri ka thënë se me kënaqësi ka pranuar festën për ekspozim në Shëngjin, pasi siç ka thënë ai, deri më tani përveç që ka qenë radikal për nga tema ka dashur që të jetë radikal edhe për kah forma e ekspozimit.

“Pra, të trajtohet dhuna në familje, gjegjësisht vrasjet e grave, gjatë kohës kur njerëzit janë për pushime, sidomos kur zgjedhin të kalojnë mbrëmjen për t’u dëfryer në një lokal rinor. Pra, kam dashur që të ndërhyjë në normalitetin e tyre. Të bëjë një çarje emocionale e epistemologjike. Kur të largohen nga ekspozita të kenë me vete një ndjenjë që i detyron të gërmojnë për këtë ndodhi e të paktën ndonjëri prej tyre edhe të merret aktivisht me këtë problem”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se tema e ekspozitës është dhuna në familje.

“Këtë kam provuar ta trajtoj. Uroj që të paktën dikush të preket nga kjo ekspozitë dhe të kontribuoj aktivisht në shoqëri”, ka thënë ai për KALLXO.com.