Regjisori Arbër Krasniqi. Foto: KALLXO.com

Arbër Krasniqi shpallet regjisori më i mirë i festivalit ‘Hyjnesha në fron'

Arbër Krasniqi ka marrë çmimin “Regjisori më i mirë” në edicionin e 14-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, “Hyjnesha në fron” që u mbyll dje në mbrëmje në Prishtinë.

Këtë çmimi, Krasniqi e mori për filmin e metrazhit të shkurtër, “Back Hom”.

Filmi “Back Home” rrëfen historinë e një të  mbijetuari nga masakra në Burgun të Dubravës më 1999, të cilit pas shërimit i duhet të përballet më tragjedinë familjare që ia la lufta.

Ky nuk është çmimi i vetëm që Krasniqi ka marrë me “Back Home”. Deri më tani filmi është shfaqur në disa festival në gjitha kontinentet.

Në maj të këtij viti, Krasniqi mori çmimin “Outstanding Achievement in Directing” në festivalin “International Filmmaker Festival of New York” (IFFNY), në Nju Jork të SHBA-ve.

Regjisori Krasniqi ka thënë për KALLXO.com se përmes këtij filmi ka trajtuar një nga ngjarjet më të dhimbshme të historisë modern të Kosovës.

“Filmi trajton një temë universal dhe përmes saj për pak minuta kemi arritur të pasqyrojmë që atë çfarë ka ndodhur në atë burg ta bëjmë të njohur në gjithë botën”, ka thënë Krasniqi.

Edicioni i 14-të i festivalit “Hyjnesha në fron” është mbajtur nga 20-22 gusht 2021.

Koncepti i festivalit për këtë vit është “Minimize”, thirrje kjo për të minimizuar shpërndarjen e Covid-19 përmes vaksinimit.

Gjatë këtij edicioni janë shfaqur filma vendor dhe ndërkombëtare.

Në fund janë ndarë edhe çmimet për kategorinë e filmave të metrazhit të shkurtër dhe atyre të gjatë.

Në kategorinë e filmave të metrazhit të shkurtër, çmimin “Dokumentari më i mirë shkoi për “Survival and School” të  Ilir Kabashi; çmimin “Regjisori më i mirë” e mori Arbër Krasniqi për filmin “Back home”, çmimi “Skenari më i mirë” i takoi Mehmet Tigli për filmin “The refugee”, çmimi “Kinematografia më e mirë” shkoi për filmin “Came the Dawn”, çmim “Hyjnesha në fron”e mori filmi “The Queen of Peace” i Davis Sipol.

Ndërsa, në kategorinë e filmit të metrazhit të gjatë, çmimin “Filmi më i mirë” e mori filmi “Long Time No See” i Pierre Filmon, çmimin “Skenari më i mirë” i takoi filmit “Inane” – Besnik Bisha, kurse çmimi “Hyjnesha në fron” e mori filmi “A Matter of Perspective” i Gerda Leopold.