Teatri Kombetar

foto; Denis Sllovinja

Anulohet konkursi për zgjedhjen e drejtorit artistik të Teatrit Kombëtar

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës kanë anuluar konkursin për zgjedhjen e drejtorit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Në njoftimin e MKRS-së për anulimin e konkursit thuhet se për anulimin e proceduarve për rekrutimin e pozitës – drejtor artistik u vendos pas pranimit të ankesave dhe pakënaqësive të komunitetit artistik dhe me vlerësimin e bërë të proceduarës nga administrata e MKRS-së.

“MKRS dhe KD i TKK-së sigurojnë opinionin se pavarësisht kësaj, puna në TKK do të vazhdojë normalisht duke u mbështetur në kapacitetet e brendshme njerëzore si dhe legjislacionit në fuqi, dhe nuk do të krijohet vakum në udhëheqjen e TKK-së. Shumë shpejt do të përgatitet proceduar e re, dhe do të shpallet konkursi për pozitën Udhëheqës Artistik i TKK-së, për çka do të jeni të informuar e kohë, dhe në mënyrat përcaktuara ligjore”, thuhet në vendimin e MKRS për anulimin e konkursit për drejtor artistik të TKK-së.

Lajmi për anulimin e konkursit është konfirmuar për KALLXO.com edhe nga kandidatët të cilët ishin në garë për drejtor artistik.

Njoftimi ka lënë të befasuar kandidatët.

Albana Muja, kandidate, veprimin e MKRS-së e ka quajtur “dhunë psikologjike”.

“Një minutë para orës 16:00 u njoftova që konkursi është anuluar. Konsideroj që kjo është dhunë psikologjike. Siç e dini është hera e dytë, derisa herën e pare është pezulluar, tani është anulua. Si guxon të ndodhë një gjë e tillë! Unë jam nënë dhe kam aranzhuar gjithçka me fëmijët dhe familjen, që të jem gati për ditën dhe testin e nesërm, si guxon të ndodh kjo?”, ka thënë ajo.

“Pak para orës 16:00 më thirrën dhe më thanë se është anuluar konkursi”, ka thënë Sokol Plakolli, kandidat që ishte në garë po ashtu.

Edhe kandidati tjetër Ekrem Sopi ka konfirmuar për KALLXO.com se është telefonuar nga MKRS pak para orës 16:00.

“Jam informuar 3 minuta para orës 16:00 dhe shumë e çuditshme, për herë të dytë është anuluar njëjtë mbi atë gabim (drejtor- udhëheqës) është shpallë për së dyti tash prapë është anuluar”, ka thënë Sopi.

Ditë më parë Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës kishte kërkuar anulimin e konkursit, pasi sipas saj, ligji nuk e njeh pozitën e drejtorit artistik të TKK-së dhe kërkoi hapjen e konkursit për udhëheqës artistik.

Kallxo.com, qysh më 2019 kishte raportuar për problemin që kishte lindur me emërtimin “drejtor artistik i TKK-së” pas miratimit të Rregullore (QRK) NR.15/2018 për gradat dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesionalë të trashëgimisë kulturore.

Në Ligjin për teatrot dhe Statutin e TKK-së nuk ka pozitë të drejtorit artistik, por vetëm udhëheqës artistik.

KD-ja i TKK-së kishte planifikuar që nesër të fillonte intervistimin me shkrim të kandidatëve që kishin konkurruar në konkursin për drejtor artistik.