Anulohet Festivali Mbarëkombëtar i Teatrove në Ferizaj

Këshilli Drejtues i Teatrit “Adriana Abdullahu” në Ferizaj ka vendosur të anulojnë mbajtjen edicionit jubilar të 50-të të Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrove për këtë vit.

Tradicionalisht ky festival mbahet në vjeshtë të çdo viti. Vitin e kaluar festivali ishe mbajtur në tetor.

Përmes një njoftimi për media, menaxhmenti i Teatrit “Adriana” njofton se Këshilli Drejtues i këtij teatri në bashkëpunim me menaxhmentin e teatrit dhe në konsultim me Drejtorinë e Kulturës në Ferizaj, pas analizës së situatës epidemiologjike në vend, shtrëngimit të masave mbrojtëse ndaj COVID-19 përmes së cilave ndalohen tubimet publike, rrjedhimisht edhe aktivitetet kulturore përkatësisht veprimtaria teatrore, mori për të anuluar mbajtjen e edicionit jubilar të 50-të të Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrove në Ferizaj.

“Ky vendim, rrodhi nga diskutimi i gjatë mes anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe menaxhmentit të Teatrit, padyshim me konsultën e përhershme edhe me institucionet lokale dhe ato shëndetësore, vendim ky i dhembshëm por i domosdoshëm kur mirëfilli dijë se është pikërisht Festivali i Teatrove, kryengjarja kulturore e Ferizajt për vitin përkatës kalendarik”, thuhet në njoftimin e teatrit “Adriana”.

Duke qenë e tillë, thuhet më tej në njoftim, organizatorët janë të shtrënguar që edicionin jubilar, 50 vjetorin e Festivalit të Teatrove në Ferizaj ta shtyjnë për vitin e ardhshëm 2021.