Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Anulimi i konkursit për blerjen e veprave të artit, reagojnë artistët e shpallur fitues
Grupi i pavarur i artistëve fitues ka reaguar pas anulimit të konkursit për blerjen e veprave të artit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Të enjten e kaluar MKRS anuloi procedurën për blerjen e veprave të artistëve vendor, sipas thirrjes publike të shpallur më 08.10.2021.
Përmes një letre të hapur drejtuar Qeverisë së Kosovës dhe MKRS-së, grupi i artistëve të pavarur kërkojmë revokimin e menjëhershëm të anulimit të blerjes.
Në të kundërtën, grupi i artistëve do të kërkojnë largimit të menjëhershëm të ministrit.
“Vendimi për anulim në emër të pakënaqësisë është i padrejtë sepse e vendosë raportin me publikun para mbështetjes së publikut. Sa i përket argumentit kundër blerjes në emër të termit të rimëkëmbjes ekonomike, duhet theksuar menjëherë që rimëkëmbja ekonomike nuk është sociale, por siç edhe e thotë vetë termi, ekonomike”, thuhet në letrën e hapur të grupit të artistëve drejtuar Qeverisë dhe MKRS-së.
Më poshtë letra e plotë e grupit të artistëve që ishin shpallur fitues në konkursin për blerjen e veprave të artit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, drejtuar Qeverisë dhe MKRS:
Letër e hapur Qeverisë dhe MKRS-së në lidhje me Vendimin Nr. 1041/2021
Anulimi i “procedurës” së thirrjes për blerjen e veprave të artit, pas publikimit të listës së ujdisë, aty ku figurojnë çmimet e dakorduara, nuk është anulim i procedurës, por anulim i blerjes. Ky mund të jetë tentim për të qenë fer, edhe pse çuditërisht vetë-mposhtës, por aspak angazhim për mbështetje e fuqizim, siç ironikisht thuhet në dokumentin zyrtar.
Kush është artist meritor e kush duhet të punojë edhe pak, e ka vendosur vetë juria e caktuar nga ministri Hajrulla Çeku. Nëse ministri nuk din ta përzgjedhë jurinë, kjo nuk do të thotë që juria nuk din t’i vlerësojë veprat që u caktoi çmime për ta pasuruar koleksionin e Kosovës, i cili rrjedhimisht është koleksion publik dhe paratë janë publike.
Vendimi për anulim në emër të pakënaqësisë është i padrejtë sepse e vendosë raportin me publikun para mbështetjes së publikut. Sa i përket argumentit kundër blerjes në emër të termit të rimëkëmbjes ekonomike, duhet theksuar menjëherë që rimëkëmbja ekonomike nuk është sociale, por siç edhe e thotë vetë termi, ekonomike. Një nga shumë pyetjet që duhet shtruar është, pse ky vendim kaq pasiv-agresiv krye në veti? Pastaj, pse ky anashkalim i papritur dhe përçmues i 68 artistëve të përzgjedhur për pasurimin e koleksionit që në njëfarë mënyre e përbën historinë e artit kosovar për brezat e ardhshëm? Dhe në fund, a nuk e dëshmon ky vendim i marrë dhe anti-ekonomik, që ministri Hajrulla Çeku nuk është duke e bërë atë që ai po pretendon dhe që nuk është duke e menduar atë që po e thotë.
Të indinjuar nga ky veprim i papërgjegjshëm dhe abuziv, kërkojmë revokimin e menjëhershëm të anulimit të blerjes, bashkë me pranim të përgjegjësisë dhe premtim që kjo nuk do të ndodhë përsëri. Përndryshe, nuk do të na mbetet tjetër opsion përveç kërkimit të largimit të menjëhershëm të ministrit, bashkë me thirrjen për veprimin e drejtë që ai do të duhet ta bëjë.
Të nënshkruarit:
Alban Muja
HAVEIT
Artan Hajrullahu
Doruntina Kastrati
Jetmir Idrizi
Rron Qena
Jeton Gusia
Lulzim Zeqiri
Vigan Nimani
Nurhan Qehaja
Dion Zeqiri
Alban Nuhiu
Yll Xhaferi
Brilant Milazimi
Arbnor Karaliti
Valdrin Thaqi
Artan Balaj
Zana Begolli
Jetullah Sylejmani
Driton Hajredini
Lorik Sylejmani
Genc Kadriu
Ermir Zhinipotoku
Renea Begolli
Urtina Hoxha
Blerta Hashani
Armansa Pjetrovic
Luan Bajraktari
Kushtrim Zeqiri
Agron Blakqori
Shkamb Jaka.