Ansambli ‘Shota’ në festivalin e Brukselit, Kosova prezantohet me fusnotë

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve, “Shota” do të përfaqësojë Kosovës Festivalin “Balkan Trafik” që mbahet nga 28 prill deri më 1 maj 2022 në Bruksel të Belgjikës.

Në web-faqen e këtij festivali Kosova është përfaqësuar me fusnotë.

Në kuadër të këtij festivali, “Shota” do të prezantohet në qytetet: Bruksel, Namur dhe Charleroi në Belgjikë.

“Ansambli në Belgjikë do të qëndrojë tri ditë, ndërkaq të katërtën është kthimi. Ansambli atje do të paraqitet me nga dy programe (koncerte) në ditë, me këngë dhe valle ne qytetet Bruksel, Namur dhe Charleroi”, ka thënë Shefqet Gjocaj, drejtori i Ansambli “Shota” në një prononcim për KALLXO.com.

Ndërkaq, Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel, përmes një postimi në Facebook u ka bërë thirrje bashkatdhetarët që të përcjellin koncertet e “Shotës”.

“Nën tingujt e bukur të valleve shqiptare do të kemi mundësin të shijojmë profesionalizmin dhe vallet e bukura të performuara nga ‘SHOTA’”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në Bruksel në Facebook.

 

Në këtë festival do të prezantohet edhe ansambli “Vatra”. Ky ansambël përbëhet nga një grup kërcimtarësh të rinj shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës.

Në vitin 2012 në Bruksel në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit u arit një marrëveshje përmes së cilës Kosova prezantohet me fusnotë në prezantime ndërkombëtare.