Albin Kurti për shuarjen e Ministrisë së Kulturës: Më pak ministri, më shumë kulturë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka zhvilluar sot në mbrëmje një takim me komunitetin kulturor në Kafe “Kultplus” në Prishtinë, ku ka shfaqur pikëpamjet e tij e të LVV rreth kulturës dhe artit.

Gjatë këtij takim Kurti ka folur edhe për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por nuk ka treguar se cili do të jetë fati i kësaj ministrie, nëse LVV dhe LDK arrijnë të merren vesh për formimin qeverisë.

Kurti ka thënë se meqë ende nuk ka marrëveshje më LDK rreth formimit e qeverisë, nuk mund të thotë se çfarë do të ndodhë me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Duke u përgjigjur në shqetësimet e komunitetit kulturor rreth idesë për shuarjen e MKRS dhe bashkimin e saj me ministri tjera, Kurti ka thënë se ideja për shpërndarjen e kësaj ministrie ka ardhur në kuadër të bisedimeve për zvogëlimin e ministrive nga 21 në 12.

“Çështja për Ministrisë e Kulturës nuk është përfundimtare, ne do t’i kemi parasysh shqetësimet e komunitetit, por mendoj se kjo nuk është çështja kryesore kjo. Mendoj se kultura është kryesorja, ne duhet ta rrisim kulturën e ta zvogëlojmë Ministrinë e Kulturës”, ka thënë Kurti.

Ndërsa ka thënë se duhet që institucionet kulturore të mos jenë më pjesë e Ministrisë së Kulturës, siç u shpreh ai, departament të ministrisë, por të pavarura me një buxhet të qëndrueshëm.

Ai ka shtuar se pavarësisht se nuk ka ende një marrëveshje me LDK për qeverisje, sa i përket kulturës dy partitë, LVV dhe LDK ka një kordinancë të plotë programore.

Kurti gjatë këtij takimi ka folur edhe për nevojën e riorganizimit të shërbimit diplomatik të Kosovës dhe përfshirjen edhe të diplomacisë kulturore dhe çështje tjera rreth kulturës dhe arti.

Së bashku me Kurtin në këtë takim ishin edhe Yll Rugova dhe Saranda Bogujevci.