Akademia e Shkencave dhe Arteve te Kosoves Foto: ASHAK

Akademia e Shkencave ekspozon recensionet e propozimeve për anëtarë të rinj të saj

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës do të mundësojë qasje në recensionet e kandidatëve të propozuar për anëtarë të rinj të kësaj akademie.

Recensionet e kandidatëve të propozuar për akademikë të rinj do të jenë të ekspozuara në mjediset e ASHAK-ut nga nesër e deri më 26 nëntor.

Publiku do të mund të ketë qasje në këto materiale nga ora 10:00 deri në 12:00, gjatë ditëve të parapara dhe mund t’i dërgojë vërejtjet dhe sugjerimet e tyre për secilin kandidatë në Kryesisë së Akademisë, deri më 26 nëntor.

ASHAK përmes një komunikate për media ka njoftuar se në bazë të statutit të Akademisë, recensionet e propozimeve për zgjedhjen e anëtarëve të Akademisë u lihen në dispozicion opinionit për shtatë ditë.

“Materialet ekspozohen në mjediset e Akademisë, çdo ditë pune nga ora 10:00 deri në 12:00. Vërejtjet eventuale i paraqiten Kryesisë së Akademisë me shkrim dhe të nënshkruara deri më 26 nëntor 2020”, thuhet në komunikatën e ASHAK-ut.

Konkursi për zgjedhjet e reja në ASHAK ishte hapur më 01.09.2020.

Zgjedhjet për anëtarë të ASHAK-ut bëhen çdo 4 vjet. Propozimet për anëtarë të rinj bëhen nga këshillave të fakulteteve të universiteteve publike dhe këshillave shkencorë të instituteve që financohen nga buxheti i Republikës së Kosovës, por edhe nga Akademia.

Sipas ligjit për Akademinë, anëtar i ASHAK-ut mund të zgjidhet punonjësi i shkencës ose i artit, shtetas i Kosovës, i cili ka krijuar vepra shkencore ose artistike të një rëndësie të veçantë.

Të qenit anëtar i Akademisë është i përjetshëm.