Ismail Kadare. Foto: Facebook

Akademia e Shkencave e Shqipërisë propozon Kadarenë për Çmimin Nobel

Akademia e Shkencave e Shqipërisë (AShSh) e ka propozuar shkrimtarin Ismali Kadare për çmimin për letërsi Nobel për vitin 2020.

Këtë propozim AShSh e mori në ditëlindjen e 84 të shkrimtarit më të njohur shqiptar në botë.

Përmes një njoftimin në Facebook, Akademia njofton se gjatë tryezës së sotme “Kadare dhe letrat shqipe”, që u mbajt me rastin e 84 vjetorit të lindjes së shkrimtarit, nga kjo Akademi në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, kryetari i AShSh-së, Skënder Gjinushi ka bërë të ditur se Ismali Kadare është propozuar për çmimin Nobel për këtë vit.

“Me vendimin nr. 9 datë 16.01.2020 Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë i ka ripropozuar Akademisë Mbretërore të Shkencave të Suedisë kandidaturën e shkrimtarit dhe akademikut Ismail Kadare për çmimin “Nobel” në letërsi, duke vlerësuar jo vetëm nderimin përparues të tij në shkallë ndërkombëtare, por edhe rolin e pazëvendësueshëm në letrat shqipe”, ka potencuar në fjalën e tij Gjinushi gjatë propozimit të Kadaresë për Nobel.

Sipas tij, gjuha e krijimtarisë letrare në shqip arriti shkallën më të lartë të fuqisë së saj shprehëse me veprën e Kadaresë.

Andaj, ka vazhduar Gjinushi, Akademia në mënyrë këmbëngulëse dhe me bindje të plotë për vendimin e saj, është prej shumë vitesh, tashmë prej dekadash, propozuese e ripropozuese e kandidaturës së tij për këtë çmim, duke e vlerësuar si një çështje merite, nderi dhe drejtësie.

Deri më tani Ismail Kadare është vlerësuar më shumë çmime prestigjioze ndërkombëtare të letërsisë, ndërsa së fundmi është nderuar me dekoratën më të lartë franceze ”Komandant i Legjionit të Nderit”.