Ahmeti: Sunny Hill Academy në hapësirat e Pallatit të Rinisë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka bërë të ditur se sot ka nënshkruar një marrëveshje për donacion me këngëtaren shqiptare Dua Lipa dhe Sunny Hill Foundation.

Sipas Ahmetit, ky fondacion parasheh hapjen e “Sunny Hill Academy” për talentët e artit dhe muzikës.

“Shkolla e Muzikës Prenk Jakova do të jetë në hapësirat e Pallatit të Rinisë ku ka qenë ASK. Në të njëjtat hapësira do të jetë Sunny Hill Academy ku do të investohet në studio për ushtrim dhe për inçizim  me instrumente për talentet e artit dhe muzikës”, ka shkruar Ahmeti.

Ai ka shtuar se marrëveshja e nënshkruar me këngëtaren Dua Lipa kap vlerën e 15 mijë eurove.

“Shpejt fillon projektimi i hapësirave për Shkollën, Akademinë dhe Bonevet për të rrumbullakësuar një projekt për rininë e Prishtinës dhe Kosovës”, ka shkruar Ahmeti.

Festivali  “Sunny Hill Festival” pritet të fillojë sonte, për të vazhduar për 3 ditë radhazi.