Pamje nga videoinstalacioni ‘Mëkati II’ i Driton Hajredinit. KALLXO.com.

A është mëkat që u linda shqiptar në Kosovë?

Një nga problemet që e preokupon shoqërinë kosovare është rruga e ngadaltë e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Perspektiva e zbehtë evropiane, mungesa e liberalizimit të vizave dhe izolimi i vendit po krijon probleme për shtresa të ndryshme të kosovarëve, të cilat janë evropianët e vetëm që nuk mund të lëvizin lirshëm (pa viza) brenda kontinentin të vjetër.

Gjetja e fajit për këtë fat të keq të kosovarëve nuk është e lehtë.

Krijuesi Driton Hajredini thotë se ka 18 vjet që është në kërkim të përgjigjes për këtë fat të shqiptarëve të Kosovës.

Së fundi ai i është rikthyer kësaj teme me videoinstalacionin “Mëkati II” (Sin II). Ky instilacion është ekspozuar në kuadër të Bienales “Manifesta 14” që po mbahet në Prishtinë.

Si vazhdimësi e videoinstalacionit “Mëkati I”, Hajredini kërkon po të njëjtën përgjigje edhe në “Mëkati II”, përmes një bashkëbisedimi me një prift në një dhomë rrëfimi në një katedrale në Gjermani, në diskutimin “ Se a është mëkat të lindësh shqiptar në Kosovë?”.

Driton Hajredini | Foto: KALLXO.com.

Në 2004, Hajredini kishte realizuar videoilstalacionin “Mëkati I”, në një katedrale në Gjermani, duke kërkuar nga prifti në dhomën e rrëfimit përgjigje për dilemën e tij.

Dy videoinstilacionet, “Mëkati I” dhe “Mëkati II” janë ekspozuar në katin e IV të “Hotel Grandit”, në kuadër të ekspozitës së “Manifesta 14”.

Një një bisedën për KALLXO.com, Hajredini thotë se ideja për realizimin e “Mëkatit II” për “Manifesta 14” ka ardhur si rezultat i mos ndryshimit të gjendjes që nga 2004.

“Që nga atëherë e deri më sot ne jemi zhvilluar, kemi shpallur pavarësinë, por nuk ka ndryshime sa i përket pyetjeve që i kisha ngritur atëherë, për integrimi evropian, liberalizimin, etj. Pyetja kryesore pas 18 vjetëve ishte prapë pyetja fillestare e 2004-es: Unë rrëfehem 18 vjet pas, por ende më mundon dilema se a është mëkat që kam lindur si shqiptar në Kosovës. Pastaj biseda rrjedh shumë spontanisht” – thotë Hajredini për KALLXO.com.

Videoinstalacionin “Mëkati II” ai thotë se realizoi për 12 ditë në Gjermani.

Vizitorët që do të vizitojnë videoinstalacionet do të kenë rast të mësojnë përgjigjet që jep prifti në pyetjen e Hajredinit.

Hajredini thotë se “Mëkati II” është një provokim i tij për vendin që nuk ka qasje të lirë për lëvizje në Evropë.

“Për realizimin e ‘Mëkati I” dhe ‘Mëkati II’ më ka nxitur raporti i Evropës karshi neve, konfrontimi im është me ta, me Bashkimin Evropian” – thotë Haradinaj.

Tashmë videoinstalacioni  “Mëkati I” është pjesë e koleksionit të kuratorit të njohur gjerman Rene Block.

Hajredini thotë se është në bisedime që edhe “Mëkati II’ të bëhet pjesë e koleksionit të këtij kuratori.

Krijimtaria artistike e Driton Hajredini përfshinë pikturën, videot artistike, instalacionet, fotografitë dhe filmin.

Hajredini ka lindur në Prishtinë (1970). Ka studiuar në akademi të arteve në Kosovë dhe Gjermani e tanimë ai jeton mes këtyre dy shteteve.

Sipas vlerësimit të konceptit kuratorial të “Manifestës”, punimet e tij janë shfaqur në vende të ndryshme të botës përmes ekspozitave vetjake deri tek festivalet të ndryshme.

“Në punën e tij, Hajredini shpesh hulumton tema në lidhje me kufijtë, refugjatët, ekzilin, luftën dhe izolimin. Stili i tij jo i zakontë shpesh përtall punime artistike ndërkombëtare të mirënjohura” – thuhet mes tjerash në vlerësimin kuratorial të “Manifestës 14”.

Pamje nga videoinstalacioni ‘Mëkati II’ i Driton Hajredinit | KALLXO.com.
Pamje nga videoinstalacioni ‘Mëkati II’ i Driton Hajredinit | KALLXO.com.
Pamje nga videoinstalacioni ‘Mëkati II’ i Driton Hajredinit | KALLXO.com.