Pamje nga shënimi i 80-vjetorit të BKK-së ‘Pjetër Bogdani’. Foto: KALLXO.com.
80-vjetori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, merr pjesë edhe arkitekti i saj, Andrija Mutnjakoviq
Biblioteka Kombëtarët e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka shënuar të hënën, më 25.11.2024, 80-vjetorin e themelimit të saj.
Në ceremoninë solemne për shënimin e jubileut të themelimit morën pjesë drejtues të lartë të shtetit e arkitekti i objektit të Bibliotekës, Andrija Mutnjakoviq, të cilit iu nda një çmim.
Një fjalë rasti në këtë ceremoni mbajti kryeministri Albin Kurti, i cili tha se ky përvjetor është moment madhështor i historisë kulturore të Kosovës.
Kryeministri Kurti tha se për tetë dekada në këtë institucion është mbrojtur fjala e shkruar, kujtesa e kombit dhe e ardhmja e trashëgimisë sonë kulturore. Kurti lavdëroi edhe logon për shënimin e 80-vjeotit të Bibliotekës Kombëtare.
“Ju përgëzoj edhe për këtë logo të qëlluar që e ka brenda edhe simbolin e BKK-së, këtë spiralen ilire që shënon 80-vjetorin e bibliotekës sivjet, por njëkohësisht edhe duke si pa kufi, si diçka që është qysh tash e panumëruar dhe e panumërueshme. BKK është një monument aktiv i fjalës së shkruar dhe dëshmi e gjallë e integritetit tonë kombëtar. Në këto mure jetojnë idetë, zërat dhe ëndrrat e brezave që kanë ndërtuar vetëdijen tonë si popull”- tha Kurti.
Ai nuk la pa përmendur edhe veçantinë e objektit të Bibliotekës Kombëtare, që sipas tij, është një ndërtesë ikonike dhe simbol i identitetit të Kosovës.
Kurse, Bardh Rugova, kryetar i Këshillit Drejtues të BKK-së, tha se kjo bibliotekë është vendi ku arkivohen njohuritë njerëzore, çka sipas tij, e bën atë të rëndësishme dhe me vlerë të madhe.
“Brezi që themeloi këtë bibliotekë ishte shëmbëlltyra që na la neve dhe tash është punë për neve që të kemi edhe një shëmbëlltyrë më të mirë për ata që do të vijnë”- tha Rugova.
Ndërkaq, drejtoresha e BKK-së, Blerina Gaxha- Rugova, tha se Biblioteka Kombëtare përherë ishte një udhërrëfyes dijeje, kulture dhe zhvillimi për vendin.
“BKK-ja ngërthen në mënyrë të përsosur të tashmen dhe të kaluarën duke reflektuar me godinën monumentale trashëgiminë identitare të kulturës kosovare”- tha ajo.
Në fund me çmimin “Pjetër Bogdani” u nderua Andrija Mutnjakoviq, arkitekti që ideoi dhe realizoi projektin për ndërtimin e objektit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.
Gjatë kësaj ceremonie u shfaq edhe filmi dokumentar për rrugëtimin 80-vjeçar të BKK-së, u mbajt një koncert nga Kori i Filarmonisë së Kosovës dhe u hap ekspozita “Antologji e koleksioneve”.
Biblioteka Kombëtare është themeluar më 1944. Gjatë këtyre 80-viteve, ajo ka kaluar në disa faza zhvillimi dhe ka ndryshuar disa herë emrin.
Pas viti 1947, ajo kaloi në Prishtinë, por u mbyll më 1952. Nga ky vit e deri më 1970, kur mori emrin Biblioteka Kombëtare e Universitare e Kosovës kaloi faza të ndryshme, dhe më pas u bë një prej institucioneve të rëndësishme për dijen dhe kulturën në Kosovë.