28 Nëntori - ndër festat kryesore të qytetarëve të Kosovës

Sot, në mbarë botën shqiptarët shënojnë 28 Nëntorin, Festën e Flamurit, ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.  

109 vjet më parë në Vlorë delegatë nga gjitha krahinat shqiptare shpallën Pavarësinë e Shqipërisë. 

 Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë është ngjarja më e madhe historike e popullit shqiptar, pas më se 600 vjet nën pushtimin osman. 

Shumë sheshe të qyteteve në shtete të ndryshme të botës ku jetojnë shqiptarët, stolisen me flamuj kuq e zi për çdo 28 Nëntor.  

Historianë të Kosovës thonë se 28 Nëntori është festë e rëndësishme edhe për qytetarët e Kosovës.

Historiani Nuridin Ahmeti ka thënë për KALLXO.com se 28 Nëntori është festë kombëtare e shqiptarëve kudo që ndodhen ata.  

“Rrjedhimisht edhe festimi duhet parë në këtë kontekst. Kemi raste kur më me shumë entuziazëm kjo festë festohet jashtë kufijve të shtetit shqiptar se brenda tij”, thotë ai.

Sipas tij, shqiptarët kudo që janë pa ngurrim duhet ta festojnë 28 Nëntorin.

Ndërkaq, Haxhi Ademi, historian, thotë se 28 Nëntori dhe dita e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, janë dy festat më të rëndësishme që shënohen nga qytetarët e Kosovës.  

“Ndonëse kjo festë nuk figuron në kalendarin zyrtar, në pesë vjetët e fundit ka marrë përmasa të një feste zyrtare, pasi me nderimet më të larta shtetërore zhvillohen aktivitete të shumta institucionale në shënimin e kësaj feste të madhe”, ka pohuar ai. 

Historiani tjetër, Shpend Avdia, thotë se 28 Nëntori shënon arritjen më të madhe të kombit shqiptar, pavarësisht se në këtë shtet nuk përfshiheshin të gjitha trevat shqiptare.   

“Kosova dhe Shqipëria janë dy pjesë të një tërësie, festat e të dy shteteve janë festa për të dyja palët”, ka thënë Avdiu. 

 Ndërsa, Fitim Rifati, histrorian, thotë se kjo festë duhet të organizohet me dinjitet edhe në Kosovë. 

“28 Nëntori nuk duhet të mbesë vetëm si festë ceremoniale dhe jashtë kalendarit të festave zyrtare të Kosovës”, ka thënë Rifati.

 Më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali i rrethuar nga patriotë shqiptarë ngrit flamurin kombëtar në Vlorë, pasi delegatë nga krahina të ndryshme të vilajeteve shqiptare firmosën Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë. 

Shteti shqiptar i dalë nga Kuvendi i Vlorës nuk u njoh nga Fuqitë e Mëdha. Ndërkaq Konferenca e Londrës (1913) e rrudhi tërësinë territoriale të Shqipërisë.

Konferenca e Londrës la jashtë shtetit shqiptar 40 % të popullsisë shqiptare. Vilajeti i Kosovës iu la Serbisë ndërsa ai i Janinës Greqisë.