22 tekste dramatike në garë për çmimin ‘Katarina Josipi’

Mbi 20 tekste dramatike kanë konkurruar në konkursin për çmimin për Dramën origjinale shqipe, “Kateria Josipi”, i cili është mbyllur të hënën që shkoi.

Zyrtarë të Ministrisë së Kulturës kanë thënë në një prononcim për Kallxo.com se janë 22 tekste që kanë konkurruar, ndërsa tani, pas mbylljes së konkursit do të procedohet më formimin e komisionit që do të bëjë përzgjedhjen e dramave fituese.

“Janë 22 tekste dramatike që kanë arritur për konkursin ‘Katarian Josipi’. Konkurrentët kanë konkurruar me shifër dhe pas mbylljes së konkursit vazhdohet me proceduar tjera”, ka thënë për Kallxo.com Jehona Shyti, drejtoreshë e Departamentit të Kulturës në MKRS-së.

Konkursi për Dramën origjinale shqipe, “Katarian Jospi” për këtë vit është hapur në fillim të muajit korrik, ndërsa është mbyllur të hënën më 9 shtator 2019.

Të drejtë konkurrimi kishin të gjithë krijuesit shtetas të Kosovës, me jo më shumë se dy tekste dramatike dhe të shënuar me shifër.

Fituesit e këtij edicioni të konkursit “Katarina Josipi”, do të bëhen të ditur më 9 nëntor 2019, në ditëlindjen e Katarina Josipit, me ç’ rast do të ndahen tri çmime për tri dramat fituese të këtij konkursi.