FOTO: Universal Pictures

“1917” - një film që po bën historinë në kinematografinë botërore

Lufta e Parë Botërore fillimisht ishte konsideruar “luftë që do t’i japë fund të gjitha luftërave”, derisa ajo shpallje ogurzi dhe deri diku, e pashpresë dhe naive, doli të jetë e rreme vetëm pak dekada më vonë. 

Lufta, në përgjithësi, cilësohet si një lloj kataklizmi që shkatërron gjithçka në afërsi të saj. Duke filluar nga trupat dhe psikologjia e njerëzve që duhet ta bëjnë këtë luftë duke qenë pjesë e saj deri në shkatërrim të qyteteve pa ndonjë pendim, pa ndonjë konsideratë dhe pa ndonjë mëshirë. 

Asnjë film i bërë deri më tani e që ka arritur t’i eksplorojë mirë dhe qartë realitetet e luftës, nuk mund të jetë inferior ndaj fakteve të mësipërme, mirëpo është shumë e mundur që asnjë film – për aq sa na kujtohet neve deri më tani – nuk ka mundur ta dëshmojë këtë realitet më mirë dhe më qartë sesa filmi “1917”.

Ndërkohë që në fillimshekullin e 20-të shtetet aleate, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë dhe Francën, ishin në luftë kundër Gjermanisë dhe pjesës tjetër të Fuqive Qendrore, këto luftëra u revolucionarizuan nga ekspozimi dhe avancimi teknologjik ushtarak duke filluar nga aeroplanët ushtarakë deri te mitralozët dhe armët kimike, pastaj edhe tek llampat sinjalizuese dhe komunikimet me bazë radio.

Mirëpo, në kohë luftrash, teknologjia e re nuk ishte gjithnjë e disponueshme ose e besueshme. Ndonjëherë mënyra e vetme për të dërguar një porosi urgjente ishte t’ia japësh atë porosi një ushtari dhe ta nisësh atë drejt e në ferr me një fije shprese që ai do t’ia dalë dhe do ta dorëzojë atë urdhër (porosi) në kohë.

Është filmi më i ri nga Sam Mendes i quajtur “1917”, i cili – me shumë gjasë – do të jetë fitues i jo një, por disa çmimeve Oskar sivjet, duke  sjellë para miliona adhuruesëve të filmit një prej senzacioneve më të mëdha në kinematografinë botërore këtë vit.

Përmes një regjie të shkëlqyeshme, inovative, dhe tejet efektive, filmi “1917” i Sam Mendes paraqet skena të ndërthurura në një skenë unike përmes një xhirimi të vetëm (Single Shot) dhe në kontinuitet përgjatë krejt filmit, që nga fillimi e deri  në fund.

Skena fillestare e filmit nis me dy ushtarë teksa koten në një fushë bari dhe e kalojnë ditën e tyre në frontin luftarak. Në një moment, ata njoftohen se janë të caktuar për një detyrë të veçantë. Kështu, ata nisen dhe ecin përgjatë një fushe të hapur duke u futur pastaj në llogore për të marrë mesazhin nga eprorët e tyre dhe kjo pjesë filmike shërben si një hyrje e shkëlqyeshme jo vetëm për madhështinë vizuale të filmit, por edhe efektivitetin e kësaj madhështie që shërben si një prelud që më vonë gjatë krejt filmit e shpërfaq narrativin e vërtetë dhe terrorin e kësaj lufte.

Ngjarja e filmit ngjason deri diku me filmit “Saving Private Ryan” porse vetëm nga ana e kundërt, dhe kjo anë e kundërt është pjesa më interesante e filmit “1917”.

Gjithçka nis diku në veri të Francës, në pranverën e vitit 1917 – ishte pra kulmi i luftës. Personazhet kryesore janë thjesht dy burra me uniformë derisa një detyrë i shndërron ata në diçka tjetër – lajmëtarë që kanë për detyrë të paralajmërojnë një batalion tjetër se ata po futen drejt një kurthi të armikut.

Aktori Dean-Charles Chapman luan rolin e Lance Corporate Blake, një ushtar i ri britanik i cili urdhërohet nga eprori i tij që të përshkojë një udhë përgjatë krejt territorit të armikut në mënyrë që të dorëzojë një mesazh në komandën qendrore, komandë kjo e përbërë nga 1.600 ushtarë britanikë (përfshirë edhe vëllain e vetë Blake), të cilët janë në prag të një sulmi të befasishëm kundër  gjermanëve, por që në fakt është një kurth i ngritur nga vetë gjermanët. Mesazhi i Blake ka si qëllim ta ndalojë këtë sulm për ta evituar një kasaphane të vertetë ndaj britanikëve.

Blake-it i thuhet të “zgjedhë një burrë, dhe të marrë çantën” në këtë mision shpëtimi dhe ky zgjedh Lans Schofield (George MacKay), një mik tijin, i cili po kotej në një fushë bari pranë tij. Fillimisht Lans ka mospajtimet e tij pse ishte pikërisht ai që u zgjodh nga miku i tij por që më vonë bindet se zgjedhja e tij në këtë mision shpëtimi, kishte qenë gjëja më e duhur që miku i tij e kishte bërë. 

Blake karakterizohet si një individ i sinqertë, ndërsa për Schofield si një cinik sarkastik. E veçanta e kësaj është se Blake është zgjedhur për këtë mision jo sepse ai është domosdoshmërisht ushtari më i mirë për ta ndërmarrë atë mision shpëtimi, por sepse ai është i motivuar në mënyrë unike që ta përfundojë atë duke qenë i vetëdijshëm se nëse nuk arrin ta gjejë kolonelin me kohë, vëllai i tij do të jetë në mesin e një mijë e gjashtëqind ushtarëve që do të zihen robë dhe do të masakrohen nga forcat gjermane.

Ajo që i bën këta dy aktorë shumë të veçantë, është fakti se ata nuk paraqiten ose nuk veprojnë si heronj të luftës tashtu siç jemi mësuar t’i shohim në shumë filma të këtij zhanri. Ata nuk e kanë ndonjë fizikus të dalluar, të themi kushtimisht muskulor, janë të dobët me trup dhe kur në një moment të caktuar ndeshen me një lumë kufomash, ata ndjehen shumë të frikësuar. Me fjalë tjera, ata janë qenie njerëzore.

Francois Duhamel- Universal Pictures

Regjisori Mendes ka bërë një punë të mrekullueshme duke sjellë sekuenca të dominuara nga kamera në lëvizje, madje duke kapur edhe një sekuencë mahnitëse kur një aeroplan ushtarak gjerman goditet në distancë dhe pastaj duke rënë drejt në tokë, saktësisht në drejtim të kamerës dhe përfundimisht duke u përplasur aq pranë saqë shikuesi ka ndjenjën se është në gjendje ta prekë edhe vetë pjesën e përparme të aeroplanit. 

Filmi 1917 ka marrë dhe vazhdon të marrë kritika të shumta nga të gjithë filmdashësit në krejt botën.

Edhe në Kosovë, nëpër rrjetet sociale, jo pak artdashës i kanë dhënë mendimet e tyre pro dhe kundër për këtë film.

Fotografi kosovar, Fahredin Spahija, i jep një vlerësim të lartë filmit “1917”. 

“Prapaskenat e paraqitura në ‘making of’ (bërjen) e kësaj drame epike të Luftës së Parë Botërore tregojnë se me e realitunjë projekt të tillë filmik është si me e ndërtu një qytet të tanë…” thotë Spahija përmes llogarisë së tij në Facebook.

Sipas tij, janë tri janë momente që e kanë shtyrë atë ta dojë edhe më tepër këtë vepër të re të arti filmik. 

“E para,  është përshtypja që krejt filmi është xhiruar me një frymë ose pa asnjë shkëputje që nuk haset në asnjë film tjetër të realizuar deri sot. E dyta,  është prania e përhershme në film e aktorit briliant-bartës të rolit kryesor George MacKay, nga minuta e parë deri tek minuti i fundit (119′) dhe, momenti i tretë, sipas kritikut Spahija, janë pamjet surreale te qytetit të rrënuar ku protagonisti takon të vetmin personazh grua përgjatë krejt filmit, të cilat janë realizuar krejtësisht me efektet e dritës pa asnjë marifet dixhital”. 

Pasionantë dhe adhurues të shumtë filmash e kanë krahasuar këtë film me dramën epike të zhanrit luftë ‘Saving Private Bryan” (1998) të regjisorit Steven Spielberg i cili është shpërblyer me gjithsejt pesë çmime Oscar. 

Përderisa filmi i Steven Spielbergut “Saving Private Ryan” e paraqet një ushtri të tërë të mobilizuar në shpëtim të jetës së vetëm një ushtari, filmi “1917” i Sam Mendes portretizon dy ushtarë të zakonshëm dhe të rangut të ulët të cilëve u besohet një mision për të shpëtuar, potencialisht, 1600 ushtarë tjerë britanikë, e kjo ndërthorazi nënkupton edhe shpëtimin e komplet ushtrisë britanike duke arritur ta ndryshojë edhe kursin e krejt luftës njëkohësisht.  

Megjithatë, Spahija është i mendimit se ky krahasim është krejt i pavend. 

“Krahasimi që disa i bëjnë këtij filmi me ‘Saving private Ryan’, më duket krejt i pavend. Jo pse filmi i Spilbergut nuk është vepër filmike po kaq e fuqishme sa ‘1917’ por pse bëhet fjalë për dy regjisorë me koncepte krijuese, krejtësisht të ndryshme.”

Ag Apolloni, shkrimtar kosovar, është i mendimit se filmi “1917” është një mrekulli kinematografike. 

“Filmi “1917” është një mrekulli kinematografike. Filmi të krijonte përshtypjen sikur është “one shot”, edhe pse nuk është i tillë. Nëpërmjet kësaj teknike, ai pretendon të japë një “kohë reale”, gjatë së cilës shikuesi për dy orë merr frymë me ritmin e protagonistit.”

Sipas tij, filmi 1917 karakterizohet me shumë për nga regjia e thjeshtë dhe e mirë, me nje skenar të thjeshtë po ashtu. 

“Ky nuk është film i skenarit (filozofik) dhe aktrimit (metodik), si “Joker” i Todd Phillips-it, por është film i regjisë që, nëpërmjet një skenari të thjeshtë dhe një regjie të perfeksionuar, të merr me vete, të fut në llogore, në baltë, në kamion, në ujë, nëpër gërmadha, nëpër tym e flakë, në mënyrë që, deri në fund, ti dhe protagonisti të luteni që të shpëtoni gjallë.”

Për regjisorin Sam Mendes, Apolloni mendon se ai është më shumë se vetëm regjisor, është shkollë regjie.

“Pas “American Beauty”, “Road to Perdition” dhe “Revolutionary Road”, me këtë film, Sam Mendes ka dëshmuar se është më shumë se regjisor, ai tashmë është shkollë regjie. Shikojeni dhe shijojeni! Në rastet më fatlume, filma të tillë bëhen njëherë në dekadë.

Foto: Universal Pictures

Pothuajse krejt krediti për këtë film i shkon regjisorit Mendes për shkak të balancimit ndërmjet teknologjisë dhe teknikës së aktrimit. Regjisori ka pasur sukses të madh kohët e fundit me prodhimet skenike, të tilla si “The Ferryman” dhe “The Lehman Trilogy”. Sidoqoftë, filmi “1917” është bërë në mënyrën më të mirë të mundshme. 

Me këtë film, Mendes i bashkohet kastës së regjisorëve që janë dëshmuar se janë mjeshtër të kësaj zeje, të tillë si Spielberg, Christopher Nolan, Peter Jackson dhe Damien Chazelle, të cilët së fundmi kanë realizuar filma që janë fokusuar në veprat heroike të brezave të mëparshëm britanikë dhe amerikanë.

Filmi “1917” është një falendërim për sakrificën dhe heroizmin, por jo edhe naiv për motivet brutale që ndonjëherë fshehen prapa linjës së frontit. Dhe kjo dëshmohet më së miri kur aktori Mark Strong, në rolin e Kapitenit Smith në këtë film, e këshillon Lance Corporate Schofield (George MacKay) që nëse mesazhi dorëzohet tek eprorët “të sigurohet se ka dëshmitarë aty”.  

“Disa burra thjesht duan luftën,” thotë ai. 

Filmi “1917” i është kushtuar, Alfred H. Mendes — gjyshit të regjisorit Sam Mendes — i cili e ka treguar këtë histori si protagonist i vërtetë i saj. Për të nderuar kujtimet dhe përvojat e gjyshit të tij, Mendesi e ka ekranizuar këtë storie duke e bërë një prej filmave më të mirë të këtij lloji. 

Deri më tani, bazuar në kritikat dhe vlerësimet e shumta nga kritikë dhe filmdashës në mbarë botën, ky është filmi më i mirë i bërë ndonjëherë për Luftën e Parë Botërore. 

ceremoninë e Golden Globe 2020, filmi “1917” është shpërblyer me dy çmime: për dramën më të mirë dhe regjinë më të mirë. 

Po ashtu, për ceremoninë e Çmimeve Oscar që pritet të mbahet me datë 9 shkurt 2020, filmi “1917” është i nominuar në gjithsejt nëntë kategori.