17 vjeçare, autore e katër librave

Nën ethet që ia dhanë ngacmimet e shoqërisë, Mehreme Goliqi kur ishte veç 15 vjeçe filloi të shkruante për arsimtaren e saj të gjeografisë, arsimtaren Meritë.

Ndërkaq, tash pas dy vitesh, nxënësja e gjimnazit ‘Ulpiana’ në Lipjan është autore dhe e tre librave tjerë: “Fuqia e Fjalës”, “Nëna” dhe “Liria ka vepra”.

Pasioni i saj për shkrim filloi gjatë kohës kur arsimtarja e saj Merita Pireva, e cila luante rol shumë të rëndësishëm në jetën e saj ishte në pushim mjekësor. Shokët e shoqet e klasës ‘e ngacmonim’ duke i thënë se ajo nuk do të kthehej në punë më. Goliqi për ta shuar mallin që e kishte për arsimtaren e saj në një fletore të thjeshtë filloi të shkruante për të. Brenda dy muajve, ajo shkroi aq poezi sa i duheshin për një libër, e po në të njëjtën kohë edhe arsimtarja u kthye në shkollë.

“Mrekullia ndodhi pas dy muajsh, sepse arsimtarja Meritë prapë ishte kthyer në shkollë dhe unë ia dhurova fletoren që ishte e mbushur me poezi për të. Pas një viti ia dhurova librin të shkruar enkas për të”, tregon Goliqi për KALLXO.com.

Fletoren e mbushur me poezi ku tregohej se sa shumë i mungonte arsimtarja nxënëses, se si nuk kishte askush që ta zëvendësonte atë, se si filloristja e kujtonte atë me ditar në dorë dhe si ajo zhvillonte njësitë mësimore, arsimtarja Meritë e mori në ditën që u kthye në shkollë.

Ndërsa, librin e botuar e të shkruar për të e mori pas një viti, më 7 mars të 2020-ës, data kur u botua libri i parë i Goliqit, libër i cili edhe e ndihmoi atë ta kuptoj talentin e saj që e ka në shkrimin e poezive.

“Libri im i preferuar ka qenë ‘Arsimtarja Meritë’ dhe ashtu do të mbetet për gjatë gjithë jetës sime, vetëm për shkak të mënyrës se si e kam shkruar, pse e kam shkruar, por edhe mënyra se si e kam botuar dhe që ai libër ka qenë çelësi i suksesit tim”, thotë Goliqi.

Mehreme Goliqi

Në moshën 17 vjeçare, për vetëm pesë ditë autorja shkroi dhe veprën e saj të dytë, “Nëna”. Për të vazhduar pastaj dhe me librin “Fuqia e fjalës”.

Librin e fundit “Liria ka vepra” i cili përmban ngjarje historike shqiptare nga më të ndryshmet, Goliqi e ka botuar gjatë këtij muaji.

“Libri është me poezi dhe vargjet janë rrëfyese të bashkëngjitura me një rimë gjithëherë”, thotë ajo.

Planet e saj për të ardhmen janë që të mos ndalet derisa emri i saj dhe titujt e librave që ajo boton të mësohen edhe në librat shkollor.

“Synimi im është që të bëhem një mësimdhënëse e duhur për nxënësit, dhe ndoshta edhe t’i ngriti ata më lartë e t’i ndihmoj ta gjejnë veten e tyre siç bëri arsimtarja Meritë me mua”, vazhdoi ajo.

Për nxënësen e klasës së njëmbëdhjetë, frymëzim është përditshmëria që e kalojmë, gjërat që i shohim e i mësojmë, por që nuk fokusohemi shumë në ato, pa lënë anash edhe historinë.

“Çdo histori që unë dëgjoj, qoftë të një shteti, të një njeriu, apo edhe histori për çështje botërore që janë zgjidhur apo jo, më bëjnë të mendoj që unë duhet të shkruaj rreth kësaj ngjarje patjetër. Dhe fjalët lidhen njëra pas tjetrës sikur zinxhirë”, shprehet ajo.

Megjithatë, Mehremja thotë se nuk ka kohë të caktuar për të shkruar, por ajo shkruan kur mendon se diçka do t’i dal mirë, kur sheh diçka interesante e kur ndjehet e mërzitur. Mirëpo, e njëjta nuk i ndodh kur ajo është në gjendje të mirë emocionale.

“Kur ndjehem në gëzim mendja sikur nuk më funksionon në shkrime”, shprehet e reja nga Lipjani.

Për botimin e tri librave të para, financimin e ka pasur nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Komuna e Lipjanit, ndërsa për të fundit nga Oda Ekonomike Amerikane.

“Komuna është një nga mbështetësit kryesor për botimin e librave. Kryetari, nënkryetari, drejtorët dhe zyrtarët komunal kanë qenë mbështetës kryesor për botimin e librave”, thotë Mehremja.

Po ashtu, ajo vitin e kaluar është pritur në një vizitë nga ish – ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Vlora Dumoshi dhe Qazim Rrahmani, ish – zv. ministër i MKRS-së, njëkohësisht dhe kryetar në Degën Partisë së Ashkalinjve për Integrim (PAI) në Ferizaj,  i cili në një postim të bërë në faqen e tij në Facebook kishte njoftuar se MKRS-ja ishte zotuar që do ta përkrahte atë.