142 vjet nga themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

142 vjet më parë në Prizren u hodhën themelet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila si qëllim të vetin kishte mbrojtjen e territoreve shqiptare nga aneksimi i shteteve fqinjëve dhe bashkimin e shqiptarëve në një vilajet autonom. 

Formimi i LSHP-ja erdhi pas Traktatit të Shën Stefanit (3 mars 1878),  i cili u dha shteteve fqinje shumë toka shqiptare dhe para mbajtjes së Kongresi të Berlinit (qershor 1878). 

Lidhja  i filloi punimet me 10 qershor 1878 në  ‘Xhaminë Bajrakli’ të Prizrenit, ku, sipas historianëve morën pjesë mbi 100 delegatë nga krahina të ndryshme shqiptare. Kryetar i Kuvendi u zgjodh Iljaz Diba 

Organi më i lartë i Lidhjes së Prizrenit ishte Këshilli i Përgjithshëm me seli në Prizren, i cili i kryente funksione legjislative. Ky organ krijoi një Komitet Kombëtar i cili mori atributet e një qeverie të përkohshme. 

Komiteti Kombëtar përbëhej nga tre komisione: Për çështjet e Jashtme u ngarkua Abdyl Frashëri, për çështjet e Brendshme u ngarkua Shaban Prizreni dhe për çështjet Financiare ishte Sulejman Vokshi. 

Lidhja e Prizrenit duhej të zgjidhte tri detyra kryesore që përbënin shqetësim për të gjithë shqiptarët. Së pari, të kundërshtonte copëtimin e trojeve etnike të banuara nga shqiptarë siç ishte parashikuar në Traktatin e Shën Stefanit dhe në Kongresin e Berlinit në vitin 1878. Së dyti, të realizonte bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm në kuadër të Perandorisë Osmane. Së treti, të dëshmonte në mbarë opinionin publik evropian se shqiptarët ishin një komb i veçantë në Ballkan pavarësisht ndryshimeve fetare. 

Komiteti Kombëtar krijoi nënkomitete krahinore në tre vilajetet kryesore shqiptare që rrezikonin të copëtoheshin.  

LSHP-ja konsiderohet si ndër ngjarje më të mëdha kombëtar të shqiptarëve që i hapi rrugë pavarësisë së Shqipërisë. 

Historiani Jusuf Buxhovi, i cili ka botuar edhe librin historiografik, “Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare 1878”,  në një postim në faqen e tij në Facebook ka shkruar se ajo që ishte më e rëndësishme, megjithatë kishte të bënte me faktin se Kuvendi ia doli të marrë vendimin për themelimin e një organizate me karakter politik e ushtarak, te një Lidhjeje (Ittifaku), me një qendër të vetme drejtuese dhe me degë të saj në të gjitha krahinat e vendit, e cila do të merrte përsipër detyrën që të mbronte me çdo mjet interesat e vendit.  

Po sipas tij, aktet e para të Kuvendit të Përgjithshëm ishin: një peticion për çështjen shqiptare, dërguar Kongresit të Berlinit, dhe një peticion, dërguar Portës së Lartë , Kararnameja (Akti i vendimeve-kanuni) dhe Talimati (Urdhëresa).  

“Kanuni i miratuar më 2 korrik 1878, shënon një fitore të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në gjirin e Lidhjes së Prizrenit. Në të vërtetë, me këto të drejta, që u sanksionuan në kanunin e 2 korrikut 1878, Lidhja Shqiptare e Prizrenit fitoi bazën ligjore për të ngritur shkallë-shkallë një shtet autonom shqiptar brenda shtetit perandorak Osman”, ka shkruar ndër të tjerash Buxhovi në Facebook. 

Ndërkaq, Shkëlqim Millakuprofesor në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren ka pohuar se Lidhja i hapi rrugë realizmit shekullor të idesë për themelimin e një shteti kombëtare shqiptare. 

“Si shoqëri kemi obligim ndaj rilindësve që të punohet më shumë bë realizimin e konceptit të tyre, i cili koncept ka qenë mirë i menduar për gjithë shoqërinë e Evropës perëndimore dhe në veçanti për një shtet shqiptar”, ka thënë Millaku për Kallxo.com. 

Kërkesat dhe synimet e LSHP nuk u mbështetën nga faktori ndërkombëtar e as nga Porta e Lartë dhe nuk kaloi shumë kohë dhe filloi përplasja e Lidhjes me autoritetet osmane.  

Lidhja zhvillojë shumë aksion luftarake për mbrojtjen e trojeve shqiptare, sidomos kundër Malit të Zi, forcat e të cilit u mposhtën nga ato të Lidhjes.  

Për të shtypu Lidhjen Porta e Lartë dërgoi forca ta mëdha ushtarake. 

Qëndresa e fundit e Lidhjes ishte  qyteti i Ulqinit, i cili iu dorëzua Malit të Zi, vetëm pasi flota ndërkombëtare bombardoi nga deti repartet ushtarake të Lidhjes dhe nga toka u sulmuan nga ato osmane dhe të Malit të Zi, më 26 nëntor 1880.