10 vite pas ndërtimit ende nuk funksionalizohet muzeu Nënë Tereza

10 vite pas ndërtimit të objektit të muzeut për Nënën Terezë në Prizren, ende nuk kanë përfunduar punimet për funksionalizimin e tij.

Sot gjatë  takimit në mes kryetarit të komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe ekipit të Fondacionit Kosovar Trashëgimia Kulturore pa Kufij- CHwB Kosova, u tha që përpos investimeve të detyrueshme do të vendoset edhe lifti për t’i mundësuar çasje personave me nevoja të veçanta, shkruan Haskuka në Facebook.

“Në objektin për muzeun e Nënës Terezë, i cili është ndërtuar në vitin 2010, përveç intervenimeve të detyrueshme në fasada, kulm, dysheme, mure dhe instalimeve të ngrohjes e ventilimit, do të vendoset edhe lifti për t’i mundësuar çasje personave me aftësi të kufizuara”, thuhet në njoftimin e Haskukës.

Marrëveshja për funksionalizmin e muzeut është nënshkruar në mes CHwB Kosova dhe komunës së Prizrenit.

Ky projekt rrjedh nga marrëveshja kryesore “Shtegu kulturor Gjurmëve të Nënës Terezë”, i cili është bashkëpunim ndërkufitar Kosovë-Maqedoni e Veriut.

Sipas Haskukës thirrja publike për mbledhjen e artefakteve dhe informatave rreth jetës dhe veprës së Nënës Terezë do të hapet së shpejti.