Fotoja e përbashkët

Kujtimi nga Mbledhja

Para se të bëhej fotoja, kryeministrat Rama e Mustafa iu përgjigjën vetëm tri pyetjeve të gazetarëve.

Dy nga tri pyetjet u shtruan nga televizionet publike të dy shteteve.

Rama me shaka ndërpreu pyetjet e gazetarëve me fjalët “do të na mbesin ministrat pa ngrënë”.

Mustafa e Rama folën për mbledhjen e sotme.

“Sot patëm një mbledhje rezultative, solli risi në krijimin e mekanizmave të matshëm dhe efikas. Përveç marrëveshjeve, sot me kryeministrin Rama nënshkruam edhe deklaratën e përbashkët. U pajtuam për funksionalizimin në muajt e ardhshëm të komisioneve për marrëveshjet e arritura. Nënshkruam 7 marrëveshje,” tha Kryeministri Mustafa.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se janë rritur raportet tregtare Kosovë-Shqipëri.

“Volumi tregtar me Kosovën ka prekur 200 milion eurot dhe Kosova për herë të parë është renditur e dyta, pas italisë në drejtim të eksportit,” tha Rama.

Megjithatë, Kosova më së shumti vazhdon të importojë nga Serbia, sipas Agjencisë së Statistikave.

Rama foli edhe për raportet mes shqiptarëve e serbëve në Ballkan.

“Shqiptarët dhe serbët mund të bëjnë për Ballkanin atë që gjermanët e francezët kanë bërë për Evropën,” tha Rama.

Rama tha se Kosovës duhet t’i jepet status i ri në NATO, ndërsa Mustafa bëri të ditur se të dy vendet kanë përparuar në rrugën evropiane.